Komuna e Mitrovicës mbështet ansamblin e qytetit
Prishtinë, 12 janar - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari, Safet Kamberi, kanë takuar sot një grup të anëtarëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Qytetit, me të cilët kanë biseduar për punë, aktivitetet dhe vështirësitë me të cilat përballen ata në punën e tyre.
Kryetari Bahtiri, ka përgëzuar ata për angazhimin dhe punën e vazhdueshme që kanë bërë, duke shënuar rezultate me të cilat krenohet edhe komuna.
Ju përgëzoj për punën dhe ju inkurajoj që të prezantoni denjësisht këngën, vallen dhe traditat tona, kudo që paraqiteni\", ju tha atyre kryetari Bahtiri.
Ndërsa anëtarët e Ansamblit, pas prezantimit të punës së tyre dhe problemeve me të cilat ballafaqohen, kanë kërkuar gjetjen e mundësive për mbështetje të aktiviteteve të tyre, përfshirë këtu edhe kompensimin për punën që ata bëjnë.
Lidhur me kërkesën e tyre, kryetari Bahtiri dhe nënkryetari Kamberi thanë se Kuvendi Komunal është duke punuar në gjetjen e mundësisë financiare për mbështetje të projekteve të Ansamblit, duke përfshirë këtu edhe kompensimin për anëtarët e këtij ansambli.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Qytetit në Mitrovicë, është një ndër ansamblet më të suksesshme në vendin tonë, i cili ka prezantuar denjësisht vlera të mirëfillta të këngëve, valleve dhe traditave të rajonit të Mitrovicës e më gjerë, duke marrë pjesë në shumë festivale, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ku ka arritur rezultate të lakmueshme.