Komuna e Gjilanit mbështetë aktivizimin e rinisë
Gjilan, 20 gusht – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshjen e mirëkuptimit për projektin “Fuqizimi i zërave lokal për zhvillim të barabartë”, me organizatën Peaceful Change Initiative, People in Need, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që të mbështes të rinjtë në forma të ndryshme në zhvillimin e ideve dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në tregun digjital.
Kryetari Haziri, ka thënë se me këtë marrëveshje bëhet thirrje për të rinjtë që të aktivizohen, të realizojnë planet e tyre dhe të zhvillojnë idetë në planifikimin e shërbimeve sociale, me pjesëmarrje dhe njëkohësisht edhe aktivizimin lokal të shoqërisë civile.
“Falënderoj organizatën Peaceful Change Initiative, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar për bashkëpunimin me nivelin lokal. Janë përzgjedhur 5 Komuna të cilat kanë gjithpërfshirje dhe efikasitet në angazhimet e përbashkëta me shoqërinë civile në përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve pa dallim. Projekti është një vjeçar dhe Komuna e Gjilanit do të angazhohet me kapacitetet e saja që të rinjtë dhe shoqëria civile të jenë përfitues nga përvojat e studiuara mirë të organizatës nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Në emër të organizatës përfaqësuesit në këtë takim, kanë konfirmuar bashkëpunimin e plotë dhe gatishmërinë e tyre që përmes ekspertizës së konsorciumit të projektit me shoqërinë civile dhe të rinjtë pa dallime që jetojnë në Komunën e Gjilanit, në veçanti të ndikojnë në zhvillimin e ideve për tregun dixhital, shërbimet sociale dhe mbështetjen me përvoja praktike për krijimin e bizneseve të reja, në koordinim të vasgdueshëm me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.