Kina ndalon shkarkimin e disa këngëve amerikane
Pekin, 27 gusht - Ministria kineze e kulturës ka urdhëruar faqet që merren me shkarkimin e muzikës në internet të fshijnë këngë nga Lady Gaga, Katy Perry, Backstreet Boys dhe disa këngëtarë të tjerë. Nëse këto faqe nuk zbatojnë këtë urdhër brenda dy javëve, atëherë ato mund të ndëshkohen ligjërisht.
Ministria kineze publikoi një listë me 100 këngë, mes të cilave Judas e Lady Gagës si dhe Last Friday Night e Kejti Perrit sepse sipas autoriteteve kineze nuk ishte dhënë leja për transmetimin e tyre. Në listën e 100 këngëve të ndaluara janë edhe 6 të tjera të Lady Gagës, të gjitha nga albumi i fundit i saj. Edhe balada I want it that way e Backstreet Boys është mes këngëve që duhet të ndalohen në Kinë.
Ministria kineze tha se ky vendim merret për të ruajtur kulturën kombëtare kineze. Faqet e shkarkimit të muzikës në internet në Kinë duhet të nisin fshirjen e këngëve deri në datën 15, në të kundërt do të përballen me ligjin. Nuk janë bërë të ditura masat që do të merren në rastet e moszbatimit të ligjit.