Këshilli i Mediave prezanton Udhëzuesit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Media
Në mars të vitit 2016, Këshilli i Mediave të Shkruara ka nisur një projekt bashkëpunimi me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë.
Ky bashkëpunim ka për qëllim të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët në media në përgjithësi, nga raportimi për ta e deri te përdorimi i mediave nga ana e fëmijëve.
Duke e parë këtë çështje si shumë të rëndësishne, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka mbajtur një punëtori gjithëditore në kuadër të Shkollës së Etikës së Gazetarisë ku janë prekur një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me fëmijët në media.
Me po këtë grup të studentëve pjesëmarrës është mbajtur edhe një punëtori njëditore për t’i aftësuar ata në lidhje me aspektet e raportimit për fëmijët dhe çështjet që lidhen me ta apo i prekin ata.
Këshilli i Mediave të Shkruara ka shfrytëzuar takimet e veta me gazetarët e rajonit për të prekur edhe këtë çështje shumë të rëndësishme sa i përket raportimit profesional të mediave.
Ky bashkëpunim ka paraparë edhe angazhimin e një eksperti për të përpiluar një udhëzues për raportimin lidhur me çështjet e mediave.
Për këtë qëllim Këshilli i Mediave të Shkruara ka angazhuar eksperten e ligjeve për media e cila ka përpiluar një udhëzues duke u bazuar në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, në legjislacionin vendor e ndërkombëtar që prek çështjet e mediave si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me fokus të veçantë në praktikat e Këshillave të Mediave të Europës.
Për të diskutuar për këtë çështje dhe për temat e tjera të ndërlidhura, Këshilli i Mediave ka ftuar znj. Flutura Kusari, autore e udhëzuesit, Pieter Knapen nga Këshilli Mediave i Belgjikës, znj. Naile Krasniqi nga Komisioni i Pavarur për Media, dhe Arben Salihu nga Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.