Këngëtari Tarkan arrestohet për trafik droge
Ankara, 28 shkurt - Këngëtari turk Tarkan Tevetoğlu, i njohur gjerësisht me emrin e tij të parë, është arrestuar sot në Stamboll bashkë me nëntë persona të tjerë si i dyshuar për trafik droge.
Këngëtari 37-vjeçar, mjaft i njohur brenda dhe jashtë Turqisë, dyshohet se është i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.
Gazeta turke "Zaman" bën të ditur se në shtëpinë e tij në afërsi të Stambollit është gjetur një sasi prej 12.5 gram kokainë.
Shefi i policisë së Stambollit, Hysen Çapken thekson se ky operacion është planifikuar prej gjashtë muajsh, dhe është pritur rasti i volitshëm për të arrestuar trafikantët. Pas marrjes së dëshmisë, bëhet e ditur se aktiviteti i tyre shtrihej në zonën e Beshiktashit në metropolin turk.
Tarkani dominoi tregun e muzikës turke dhe evropiane për më se një dekadë, duke shitur 19 milionë albume anembanë botës.