Kalaja e Vushtrrisë është në pronësi të Institutit e jo të komunës
Prishtinë, 15 korrik - Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve shpreh thellësisht keqardhje për mënyrën e trajtimit dhe reagimit të pa matur dhe të gabuar që ka bërë dje drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë znj. Shpresa Rama lidhur me leshimin në shfrytezim të Kalasë së Vushtrrisë.
Agim Gërguri drejtues i IKMM-se ka thënë se në vazhdimësi ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Komunën e Vushtrrisë dhe Kryetarin e Komunës Mulaku, tek i cili, si rrallë herë në Kosovë ka gjetur mbështetje e gatishmëri të lartë për bashkëpunim në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore që gjenden në Komunën e Vushtrrisë.
\"Kjo e bën tejet të çuditshëm këtë reagim kaq të pavend sot, por, mbase Drejtoresha mund të ketë reaguar edhe pa dijeninë e Kryetarit z. Mulaku, ndryshe, nuk besojmë se do të dilte ky reagim kaq i paanalizuar, i pa mbështetur dhe pa asnjë bazë ligjore\", thekson ai.
Geguri thotë se deklarata e Drejtoreshes Rama është tërësisht e gabuar.
Monumenti i mbrojtur i trashëgimisë kulturore i njohur si Kalaja e Vushtrrisë është në pronësi të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe jo të Komunës së Vushtrrisë.
Ndërhyrjet në monumente sipas Gërgurit i nënshtrohen rregullave, kritereve, standardeve ligjore teknike dhe profesionale të konservimit në rast të ndërhyrjeve nëpër këto asete.
Të gjitha këto janë çështje të rregulluara me dispozitat e Ligjit Nr. 02/L - 088 për Trashëgimi Kulturore.
\"Po sipas Ligjit, çdo projekt për çfarëdo niveli të ndërhyrjes, fillimisht dërgohet në institucione të specializuara (që në bazë të legjislacionit në fuqi këtë kompetencë ekskluzive e ka IKMM-ja) me çrast jepet ose jo leja për ndërhyrje ose bëhen vërejtjet profesionale në mënyrë që ndërhyrjet të jenë të atilla që do ta restaurojnë, përmirësojnë dhe prezantojnë vlerat e monumentit/asetit, respektivisht, ndërhyrjet e tilla nuk do ta dëmtojnë më shumë, cenojnë apo tjetërsojnë vlerat e monumentit\", pohon Gërguri.
Ligji po ashtu sipas tij jep autorizime për institucione se kush do të bëjë vlerësimin e projekteve, kush i mbikëqyrë ato, kush ka të drejtë të kryejë punë në trashëgimi kulturore, në çfarë kriteresh, kushtesh etj.
\"Në rastin konkret si institucion, kemi vepruar në përputhje të plotë me kriteret dhe dispozitat ligjore të kuadrit rregullativ ligjor të trashëgimisë kulturore.\"
\"Fillimisht, me rekomandimin e Komisionit Profesional për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Konservuese-Restauruese të Trashëgimisë Kulturore i cili funksionon brenda IKMM-së, është shqyrtuar, vlerësuar dhe aprovuar të gjitha ndërhyrjet që propozohen me projektin për restaurim të Kalasë, në të cilin përfshihet edhe mirëmbajtja e vazhdueshme me qëllim të ndalimit të degradimit\", ka nenvizuar ai.
Po ashtu, pjesë e projektit, ka qenë edhe vënia në funksion e një hapësire për shfrytëzim në fushën e gastronomisë nga ana e investitorit. Për këtë projekt ekziston edhe Vendimi përkatës i IKMM-së, si institucion kompetent, mbi aprovimin e projektit në të cilin është i arsyetuar në detaje karakteri dhe arsyeshmëria e ndërhyrjeve që janë propozuar/projektuar.
Bazuar në faktin se IKMM është institucion - edhe pronar i monumentit, po ashtu është institucion kompetent qe bën vlerësimet e ndërhyrjeve nëpër asete të trashëgimisë kulturore, pastaj që ka mandat ligjor për të bërë restaurim dhe konservim dhe për të mbikëqyrur subjektet tjera që ushtrojnë këtë veprimtari, në të njëjtën kohë, është edhe institucion kompetent që në bazë të LTK-së, ka të drejtë, bazuar në Nenin 6 (paragrafi 3) të autorizojë përdorimin me qëllim përfitimi ekonomik dhe apo kulturor të objekteve të trashëgimisë arkitekturale, çfarë është Kalaja e Vushtrrisë.
Pra një e drejtë/autoritet i tillë për lejimin e këtyre veprimtarive në monumente, autorizohet me leje të shkruar nga institucioni kompetent, që në këtë rast është IKMM.
Komuna e Vushtrrisë, nuk ka asnjë të drejtë të ndalojë apo të ndërhyjë në kompetenca të institucioneve që kanë mandat të mbrojnë dhe ruajnë trashëgiminë kulturore të përcaktuara me Ligjin 02/L - 088 për Trashëgiminë Kulturore.
Për ne është e çuditshme se si znj. Shpresa Rama, megjithëse e mbanë pozitën e Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport në Vushtrri, tash e sa kohë, nuk i njehë ligjet dhe aktet normative mbi bazën e të cilave funksionon fusha e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, aq më tepër në një qytet/ Komunë me traditë në respektimin dhe njohjen e vlerës së trashëgimisë kulturore.
Për fund, duke vlerësuar se zbatimi i një projekti të tillë, do të rriste kujdesin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të monumentit, pra do ta ndalte degradimin e mëtejmë të objektit të Kalasë, (për kohën sa e ka pasur nën kujdesje DKRS-ja e Vushtrrisë, objekti është degraduar tejmase, shihni fotot e bashkëngjitura, nga moskujdesi flagrant që ka demonstruar në mirëmbajtje të monumentit), zbatimi i projektit në të njëjtën kohë, do të rriste edhe vizitueshmërinë, pra, do ta promovonte akoma më shumë këtë monument, bazuar në kompetencat tona, kemi vepruar në bazë të Ligjit Nr. 02/L-088 për Trashëgimi Kulturore.
\"Të gjitha parametrat e qasjes së lirë të vizitorëve, vënies në dispozicion të hapësirave për ta vizituar monumentin i kemi siguruar. Është e pavërtete e madhe që Kalaja e Vushtrrisë është shndërruar në restorant\", ka deklaruar në fund Gërguri.