Java e Bibliotekës në Kosovë afirmon kulturën shqiptare
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Javës së Bibliotekës mori pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti, e ku morën pjesë përfaqësues nga Ambasada Amerikës dhe e Shqipërisë në Kosovë, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj dhe shumë autoritete kulturore vendore.
Tema qendrore e sivjetshme e Javës së Bibliotekës në Kosovëe është Biblioteka dhe dokumentimi i realitetit historik të Kosovës, ndërkaq në kuadër të kësaj jave do mbahet edhe konferenca shkencore për Ismail Kadarenë, e cila organizohet në kuadër të aktiviteteve që shënohen për 80 vjetorin e lindjes së tij.
Java e Bibliotekës realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Ambasadën e Amerikës në Kosovë, ndërsa në kuadër të aktiviteteve të shumta, trajtohen tema të rëndësishme nga kultura, bibliotekaria, historia.
Në ceremoninë e hapjes së Javës së Bibliotekës së Kosovës u tha se biblioteka luan rol fondamental në kulturën e një vendi, prandaj edhe duhet të ketë kujdesin e institucioneve të shtetit.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se Java e Bibliotekës është një aktivitet specifik dhe afirmon jetën kulturore mbarë nacionale, dhe si i tillë do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të MKRS-së.