Izraeli dhe Kosova bëjnë film bashkë
Tel Aviv, 18 dhjetor - Në Tel Aviv të Izraelit është duke u xhiruar filmi Out of the deep i cili ka bërë bashkë ekipe të filmit nga Kosova dhe Izraeli.
Për xhirim të këtij filmi atje po qëndron ekipa kosovare e filmit me koproducenten Blerta Basholli, Leonora Mehmeti make up artist dhe Pëllumb Ballata sound.
Out of the deep është filmi i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar të Nony Geffen dhe filmi flet për Nony, një djalë rreth të 30-ave i cili merr pjesë në luftën e tretë në Liban dhe është i vetmi i mbijetuar nga njësiti i tij. Nony nga lufta del me trauma dhe fillon të krijoj një karakter të ri.
Në këtë film luajnë aktorë të njohur izraelit si: Nony Geffen, Dudu Tassa (këngëtar shumë i njohur), Sasson Gabai (njëri nga aktorët më të famshëm izraelit dhe dy herë fitues i Israeli Academy Awards) etj.
Regjisori, skenaristi dhe protagonisti në filmin Out of the deep, Nony Geffen është i njohur për filmin e tij debutues Not In Tel Aviv i cili ka fituar çmimin special të jurisë The Silver Leopard në Festivalin e Filmit Locarno në Zvicër si dhe çmimin e parë në Festivalin Cine South në Izrael.
Out of the deep është mbështetur nga Israeli Film Fund dhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës si projekt minor, është prodhim i Laila Films me producent Itai Tamir dhe Industria Film me producente Blerta Basholli e cila është edhe asistentja e parë e regjisë në këtë projekt.