23 Dhjetor 2024

Interesim i jashtëzakonshëm i publikut gjilanas për shfaqjen “Trenat”

Gjilan, 26 janar - Në ditën e katërt të Festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020", para artdashësve gjilanas është prezantuar shfaqja konkurruese "Trenat" e autorit Haqif Mulliqi, prodhim i Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Vendosja e shfaqjes është konceptuar të prezantohet në skenën e rrethuar nga publiku, për një numër të kufizuar syresh.

E interesimi për ta pa nga afër këtë shfaqje ka qenë shumë më i madh nga ç'pritej prej publikut tradicional lokal, pasi kanë marrë pjesë edhe artdashës e krijues të shumtë nga Prishtina e gjetiu, emra të shquar të dramaturgjisë e artit skenik në përgjithësi.

Fabula e shfaqjes "Trenat" përmes lojës së aktorëve Shpëtim Selmani e Rozi Kryeziu ka shpërfaqur një moment jetësor të çiftit (Veni e Vini) në pritje për t'u arratisur, me qëllim të shpëtimit të identitetit e integritetit personal, ndonëse të dalë nga binarët e normalitetit të jetës, si pasojë e përjetimeve pas dramës së dhunimit e përdhunimit që u ka ndodhur.

Nga situatat dramatike të tensionuara në skenë herë-herë nëkuptohet që ata paraprakisht janë dakorduar të "harrojnë" atë gjëmë që u ka rënë mbi kokë.

Porse pesha e saj del të jetë më e rëndë seç është paramenduar se mund të përballohet, ndaj, me kalimin e kohës problemi bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u "harruar".

Shih për këtë, shpërthimet e kohëpaskohshme të protagonistëve, veçmas shpërthimet instinktive të aktores Rozi Kryeziu, vijnë mëse të natyrshme në skenë, ndërsa nxjerrin në pah natyrën e saj sublime femërore, e cila paralelisht me pasojat e tmerrit të përjetuar është e detyruar të përballet edhe me dhembjet e pritjes së dyfishtë: atë të lindjes së foshnjes dhe trenit "shpëtimtar", për të vazhduar "itinerarin" e jetës në drejtim të panjohur.

Përveç aktorëve Rozi Kryeziu e Shpëtim Selmani, në shfaqjen "Trenat", e cila është konceptuar si dramë e ironisë, pritjes e frikës, ka luajtur edhe Xhemajl Gllavica si instrumentist në sfond, ndërsa regjinë e ka punuar Zanë Duraku.

Shfaqja "Trenat" e shkruar nga autori i sa e sa veprave të inskenuara gjithandej, Haqif Mulliqi, është prezantuar para publikut gjilanas në natën e katërt konkurruese, ndërsa skenografinë e ka realizuar Mentor Berisha.

Kjo ishte shfaqja e dytë nga repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës në konkurrencë zyrtare në "Talia e Flakës 2020", pas asaj të regjisores Burbuqe Berisha e autor Milazim Krasniqi "Bryma e vdekjes".

Paraprakisht janë prezantuar edhe shfaqjet "Shkamat" e autorit dhe regjisorit Fadil Hysaj prodhim i "EtnoFest" dhe shfaqja "Graviteti" me autor Lirak Celaj e regjisor Florent Mehmeti nga teatri "Oda".

Në ditën e fundit të Festivalit të Dramës shqipe "Talia e Flakës 2020", të dielën në program është shfaqja nikoqire e Teatrit të Qytetit të Gjilanit "a. y. l. a. n", e autorit Jenton Neziraj në regji të Blerta Neziraj, me ç'rast bëhet edhe ndarja e çmimeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)