India ndalon filmin 50 hijet e Greit edhe pa skenat erotike
New Delhi, 7 mars - 50 hijet e Greit bëri një bujë në mbarë botën, por në të njëjtën kohë u kritikua fuqishëm. Shumë vende dhe njerëz janë deklaruar kundër tij, ndërkohë që vetëm gjatë javës së dytë të publikimit fitimet e tij ranë me 70%.
India është një ndër vendet që ka ndaluar transmetimin e tij. Ndonëse filmi është shfaqur në një version të reduktuar, India nuk ka lejuar që qytetarët të shohin këtë film erotik në kinema.
Sipas The Guardian, edhe pse filmit i ishin hequr disa skena posaçërisht për vendet e lindjes, India nuk e pranoi as versionin e reduktuar.
Shefi ekzekutiv i Bordit Qendror të Certifikimit të Filmit, Shravan Kumar, nuk i ka bërë të ditura arsyet e ndalimit të këtij filmi, por ka thënë se Universal Pictures, kompania që e ka prodhuar filmin mund ta apelojë vendimin.