Home Sweet Home nga data 1 shtator në Kino ABC
Prishtinë, 31 gusht - Filmi Home Sweet Home me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Faton Bajraktari pas premierës ndërkombëtare në festivalin e kategorisë A Karlovy Vary, vjen nga 1 shtator 2016 në Kinemanë ABC ku do të shfaqet për një javë rresht me fillim nga ora 20.
Ky film flet për Kosovën e pasluftës dhe për historinë e Agronit i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët, emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale.
Në rolet kryesore luajnë: Donat Qosja, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi etj.
Shfaqja për një javë në kinematë kosovare është parkusht ndër tjerash të propozimit për konsiderim për filmin më të mirë të huaj Oscar, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.
Filmi është prodhim i kompanisë filmike Cineproduction dhe \'Arnel Production\', i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni.