Home nga More Raça premierë botërore në Raindance Film Festival
Prishtinë, 25 gusht -Pas sukseseve që pati regjisorja e re More Raça me filmin Amel, filmi i ri i saj i metrazhit të shkurtër Home do ta ketë premierën botërore në edicionin e 24-të festivalit të madh Raindance Film Festival në konkurrencën zyrtare.
Home me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça është pranuar në festivalin më të madh të filmit të pavarur në Britaninë e Madhe, Raindance Film Festival, i cili do të mbahet nga 21 shtator deri me 2 tetor 2016 në Londër.
Raindance Film Festival është festival i kategorisë A dhe një nga festivalet më të mëdha në Evropë. Këtë vit kanë konkuruar mbi 6000 filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë.
Festivali Raindance është zyrtarisht i njohur nga Academy of Motion Picture Arts and Science dhe nga British Academy of Film and Television. Filmat e shkurtër të zgjedhur nga juria e festivalit do të kualifikohen për nominim për Oscar® dhe Bafta.
Revista e njohur e filmit Variety, festivalin e filmit Raindance e paraqet si një nga festivalet e filmit më të mëdha në botë.
Filmi Home është i bazuar në ngjarje të vërtet dhe paraqet konfliktin për çështje trashëgimie në mes të vëllaut dhe motrës, në mes të drejtës tradicionale dhe asaj ligjore.
Në këtë film luajnë: Xhejlane Tërbunja, Sunaj Raça, Kumrije Hoxha, Bekim Mulaj, Florentina Ademi, Veton Osmani, Albulena Bardhi, Mirsad Ferati, Don Raça, Gani Morina.
Home është prodhim i shtëpisë filmike Arena dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.