Hapet Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore
Panairi që vlerësohet si manifestimi më i madh i artizanatit në Kosovë, promovon vlerat e trashëgimisë kulturore të vendit tonë ku në sheshin Nëna Terezë për pesë ditë do të ekspozohen zeje të ndryshme të punuara me dorë duke filluar nga veshmbathjet e ndryshme, punë druri e metali e deri te prodhimet tona ushqimore tradicionale.
Në hapjen e sotme të panairit, projekt ky i mbështetur kryesisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ishin prezent Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Veton Firzi dhe i pari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Sekretari Firzi shprehu falënderimin në emër të MKRS-së dhe theksoi se MKRS-ja e ka futur Panairin e Artizanaleve në kalendarin e aktiviteteve të kësaj ministrie si rezultat i bashkëpunimit të institucioneve me OJQ-të dhe falë angazhimit të njerëzve që janë përfshirë në këtë proces.
Aktivitetet e këtij panairi janë shumë të rëndësishme. Artizanët përveç demonstrimit të punimeve të tyre, në të njëjtën kohë promovojnë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore. Ruajtja e artizanaleve të vjetra është prioritet i ministrisë tonë dhe do ta mbështesim në vazhdimësi në kuadër të programeve të ndryshme. Këtë mbështetje e bazojmë fuqishëm në kultivimin dhe promovimin e traditës sonë shumëvjeçare që e kanë dhënë artizanë të ndryshëm nga Kosova, tha sekretari Firzi.
Ai tha se me mbështetje edhe të niveleve tjera këto artizanate mund të shndërrohen në ekonomi të vogla që përpos ruajtjes së zejeve do të krijohej mundësia e gjenerimit të mjeteve financiare për artizanë në njërën anë ndërsa do të inkurajoheshin edhe gjeneratat e reja për të kultivuar dhe promovuar trashëgiminë e traditën tonë kulturore.
Ndërkaq Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, theksoi se ky panair është shumë i rëndësishëm sepse ekspozohen vlerat kulturore e artistike të Kosovës dhe trevave tjera që marrin pjesë në këtë panair duke potencuar se si komunë do të përkrahin punën e grave si në aspektin e prodhimit e po ashtu edhe të ekspozimit të atyre produkteve.
Si Prishtinë do të bëjmë përpjekje maksimale që ti përkrahim gratë, përkrahim vlerat kulturore të cilat ato i eksponojnë, përkrahim ato vlera që përshkruajnë trashëgiminë tonë kulturore, dhe të cilat i rrisin vlerat e tjera si ato: arsimore, kulturore, sportive, prodhuese, tha Mustafa.
Ai ka konsideruar këtë panair si një shans që po i jepet gruas që të tregojë se çfarë ajo mund të bëjë në fusha të ndryshme të artizanatit, në ekspozimin e vlerave të trashëgimisë dhe të vlerave të reja të cilat dëshirojmë ti krijojmë në Prishtinë dhe në Kosovë.
Në hapjen solemne pati peformanca artistike të valleve tona popullore dhe artistit dhe shpikësit të instrumenteve muzikore Shaqir Hoti. Panairi i sivjetmë do të jetë i hapur prej 26 deri më 30 shtator në sheshin Nëna Terezë.