Hapet festivali ndërkombëtar Bridge film fest
Mitrovicë, 6 tetor Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar Bridge film fest është hapur sonte në Mitrovicë, duke mbledhur kështu në qytetin e Mitrovicës 11 filma të gjatë dhe 30 filma të shkurtër nga pothuajse e mbarë bota.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në hapjen e Bridge Film Festival, ka deklaruar se Përballja me realitetin ndarës dhe përjashtues të qytetit të Mitrovicës, ka nxitur te ideatorët e festivalit forcën e dëshirës për të kontribuar në ndërtimin e realitetit ku vihen në pah vlerat e shoqërisë së Kosovës të cilën jemi duke e ndërtuar, vlera të ngjashme këto me të gjitha shoqëritë në botë të cilat në themel të tyre kanë parimin themelor të demokracisë dhe të barazisë ndërmjet qytetarëve - pavarësisht etnisë, fesë apo gjinisë.
\"Kjo iniciativë vizionare e një grupi të vajzave të Mitrovicës, të cilat përfaqësojnë natyrën e shtetit të Kosovës, shtet shumetnik dhe shumëkulturor, përçon mesazhin e qartë që të punojmë së bashku për të ndërtuar ura të bashkëpunimit, të mirëkuptimit dhe mirëbesimit ndërmjet nesh, qytetarë të Kosovës, për të mos mbetur peng të së kaluarës së rëndë por për të synuar një të ardhme në paqe, me prosperitet dhe të dinjitetshme për të gjithë qytetarët pa dallim\", ka pohuar ajo.
Sipas saj andaj dhe madhështia e këtij festivali qëndron te promovimi i dialogut kulturor ndërmjet komuniteteve, mes veriut dhe jugut të këtij qyteti dhe të vendit në përgjithësi, si një dialog i mirëkuptimit dhe paqes. Një dialogu jo vetëm ndërmjet komuniteteve të ndryshme të Kosovës por duke e zgjeruar në një bashkëpunim edhe rajonal dhe më gjerë, duke dëshmuar se diversiteti është vlera më e madhe e shoqërisë që ndihmon në ndërtimin e mirëbesimit dhe të gjithëpërfshirjes.
\"Urat shërbejnë për ti bashkuar njerëzit dhe për tu mundësuar atyre lidhjet mes vete. Shërbejnë për të ndërtuar idealin e përbashkët për një vend të zhvilluar e demokratik, ku secili qytetar do të gjejë mundësinë e tij për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të përparuar. Urat nuk ndajnë njerëz por lumenj, nuk ndajnë vizione e ideale të përbashkëta, por bashkojnë vullnete dhe dëshira për përparime të përbashkëta në një vend të përbashkët\", ka theksuar ajo.
Sipas saj Mahatma Gandhi ka thënë bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë.
\"Organizatorët e këtij festivali po na dëshmojmë pikërisht këtë. Ndryshimin që duam ta shohim mund ta arrijmë vetëm duke punuar së bashku, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke marrë secilin përgjegjësinë e tij dhe duke qëndruar të palëkundur dhe të pakompromis për të arritur objektivin tonë\", ka pohuar ajo.