Hapet ekspozita si dhe festa e artistave "Hijet e Bardha"
Prishtinë, 15 dhjetor - Galeria Qahili do të hap sot edicionin e tretë të ekspozitën, ndejës si dhe festën e artistëve, "Hijet e Bardha".
Karakteristikë e edicionit të tretë të Hijeve të Bardha është se artistët pjesëmarrës janë ata të cilët kanë lindur nën shenjën e shigjetarit në horoskop.
Artistët janë të mediumeve të ndryshme të artit. Artistët pjesëmarrës janë: Mina Krasniqi, Shqipe Kamberi, Guri Cavdarbasha, Mirsad Lushtaku, Hajrush Fazliu, Isa Alimusa, Kasiopeja Naumoska , Kushtrim Balaj, Umit Inatci, Liridona Abdullahu, Arjana Xhemaili, Andi Gola, Tanja Tanevska, Meddy Huduti, Gjon Delhysa, Rafael Martorell, Virtyt Pula, DJ Strella, Arben Alliaj, Viki Goxha, Eshref Qahili.
Hijet e Bardha është një projekt/ekspozitë kolektive-ndërkombëtare, e cila karakterizohet me pjesëmarrjen e numrit të madh të artistëve.
Është projekti i fundit i programit njëvjeçarë të galerisë si dhe një ceremoni festimi e festave të fund vitit me vepra arti.
Emri, Hijet e Bardha është një metaforë për të përshkuar artin si diçka të bukur, të pastër e madhështore; është një hije e bardhë e cila shpërndan kënaqësi tek artdashësit.
Hija është diçka e madhe; ajo është si një iluzion, që nuk është asnjëherë i njëjtë. Fundi i vitit është koha kur mezi shihen hijet, por të gjithë e dimë se ato janë aty.
Hijet e Bardha, deri më tani është organizuar 2 here. Edicioni i parë është organizuar më 2013, dhe artistët pjesëmarrës ishin të mediumeve të ndryshme të artit. Këta artisët morën pjesë me punime të formateve të vogla.
Gjithashtu kjo ekspozitë u bart edhe në Galerinë e qytetit të Beratit, Edward Lear. Edicioni i dytë është organizuar më 2014. Ishte edicion i kushtuar fotografisë, prandaj edhe artistët pjesëmarrës në këtë edicion ishin fotograf.
Kjo eskpozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Departamentit të Kulturës, Birra Prishtina, Korporatë Rugove, Pronto, Che Bar si dhe 2B Studio.