Hapet ekspozita personale e Ymer Shaqiri
Prishtinë, 10 shkurt - Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita personale e artistit Ymet Shaqiri.
Karakteristikë e veçantë në krijimtarinë dhe në veprat e Ymer Shaqirit është paraqitja e tij me vlera origjinale profesionale.
Stili dhe teknika përdoret si shprehje e veçantë, duke ofruar origjinalitetin e një kulture të lashtë. Bazuar mbi teknologjinë dhe mentalitetin e tij arrijmë të njohim edhe diçka të shumëfishtë - asociacionet me referencat e veta të panumërta.
Zgjidhja e problemit në lëmin filozofik është i pranishëm në disa vepra tipografike si shenja të papritura vizive, që komunikojnë formë, figura, marrëdhënie, imazhe të plota nga fuqia e një individualiteti të dukshëm të cilat lënë gjurmë grafike.
Ai ndryshon debatin tradicional rreth së bukurës, duke përdorur këtë material të ilustruar me forma dhe ngjyra të grafikës që të bëjnë për vete. E bukura e fshehur e tij është e brendshme, e sinqertë dhe origjinale e mbuluar nga petku i këtij realitetit të përditshëm.
Gjendja mendore dhe psikologjike shkrihen në një përfytyrim që vepron mbi fragmentimin e të dhënave pamore ku rezultati është një arkitekturë e brendshme, e cila mbledh brenda vetes të gjitha veprimet dhe emocionet e përfshira në konceptin e veprës.
Portat, dyertë, dritaret me gozhda të ndryshkura, telat dhe materiale të tjera të çliruara nga jeta e përditshme si detaje janë personazhet e tij të veçanta që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e këtij vendi.
Detaje të kompozuara me kujdes dhe mjeshtri përdoren si mesazhe të fuqishme të realitetit ballkanik me ngjyrat neutrale, duke kërkuar një realitet evropian, të cilat më vonë bëhen edhe më të dukshme me raport e tyre të ndjeshëm dhe delikat.
Veprat titullohen Pa titull dhe kjo na bën që të zbulojmë dhe të kuptojmë në mënyrën tonë të lirë lidhjen me veprën dhe lirinë e interpretimit.
Shenjat e traditës abstrakte si dhe ato më të thjeshtat e figuracionit, ndërthuren në një motiv unik dhe organik.
Ymer Shaqiri krijon një raport me historinë si një marrëdhënie dialektike e artit me të - raport ky që përbën një referencë të përhershme të një pozicioni të artit, i cili gjithmonë i drejtohet në mënyrë pasqyrore vetvetes.
Ymer Shaqiri na sjell një mesazh të fuqishëm në këtë realitet plot tensione.
Zeni Ballazhi, kurator
Ymer Shaqiri u lind në Sveqël të Podujevës më 1953. Studimet i kreu në Akademinë e Arteve në Prishtinë më1981, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku dhe merr titullin akademik.
Krijimtarija e tij artistike përfshin grafikën si disiplinë e aplikueshme në artin bashkëkohor.
Ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe kolektive në vend dhe jasht vendit me bienale dhe trienale ndërkombëtare - që nga viti 1982 në bienalen e Lubljanës, Japoni, Italisë, Holandës si dhe në shumë evente tjera të njohura ndërkombëtare (Art Karlsruhe, Art Koln, Art Santa Fe, Art Chicago, Art San Francisco, Art Vilnius, Arco Madrid, Art Lisbon, Art Istanbul, Art Seoul, Art Innsbruck, Art Bodensee, Art Zurich, Art San Diego etj.), ku dhe është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare.
Veprat e tij gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani dhe në Kosovë.
Ekspozita të rëndësishme personale:
1988 Galeria e Arteve e Kosovës, Prishtinë
1988 Galeria BI-Z Kristiansen, Norvegji
1989 Galeria Feniks, Lubljanë, Slloveni
1990 Galeria Pilonova, Ajdovçina, Slloveni
1991 Galeria e Arteve Nova Gorica, Slloveni
1993, 1995 Galeria Mira, Bern, Zvicër
1999 Galeria Fausto Panetta, Mannheim, Gjermani
2000 Galeria Schroder, Ausgsburg, Gjermani
2002 Kunstverein in Brd Mannheim, Gjermani
2003 Galeria Melnikov, Heidelberg, Gjermani
2003 Galeria Walter Bischoff, Berlin, Gjermani
2006 Art Karlsruhe One Man Schow, Gjermani
2008 Galeria e Arteve e Kosovës, Kosovë
2009 Kunstverein Schallstadt, Gjermani
2010 Galeria Seoul Korea, Gjermani
2013 - Galeria Riedel, Frankenthal, Gjermani
2013 Galeria Bode, Karlsruhe, Gjermani
2015 Galeria Grande Mannheim, Gjermani
2015 Sebastians Kapelle, Ulm, Gjermani
2015 - Art Karlsruhe One Man Schow, Gjermani
2015 Immaginaria Arti Visive Gallery, Itali
2016 Galeria Kombëtare e Kosovës, Kosovë
Ekspozita të rëndësishme kolektive:
1985 - Bienalja XVI Ndërkombëtare e Grafikës, Slloveni
1986 International Independent Exhibition, Kanagawa, Japoni
1987 - Ekspozita Ndërkombëtare e Grafikës, Katanga, Itali
1987 - European Triennial, Grado, Itali
1987 - Bienalja XVII Ndërkombëtare e Grafikës, Slloveni
1989 Bienalja XVIII Ndërkombëtare e Grafikës, Slloveni
2003, 2004 - Art, Karlstruhe, Modern Art, Gjermani
2003 - Kunstmarkt Dresden, Gjermani
2003, 2005 - Art Cologne-37+39/ Gjermani
2003, 2004 - Arco, Madrid, Spanjë
2003, 2004 - Art Chicago SHBA
2003,2004,2011,2013,2015 - Art San Francisco, SHBA
2005, 2006 - Art Lissabon, Portugali
2005, 2010 - Kunst Zürich Kunst, Zvicër
2005, 2010 - Art Santa Fe SHBA
2006 - Art Innsbruck, Austri
2006, 2007 - Art Bodensee, Austri
2007 - Contemporary Istanbul, Turqi
2007 - Puro Arte Vigo, Spanjë
2007, 2015 - Kiaf Seoul, Korea
2007 - Ekspozita e 37-të Ndërkombëtare e Artit Modern, Köln, Gjermani
2008 - La Art Show Los Angeles, SHBA
2009, 2010, 2012 - Art Vilinius, Litauen
2010, 2011 SFAFF - San Francisko Fine Art Fair, SHBA
2011 - Art San Diego, SHBA
2013 Art Modern, Salsburg, Francë
2013, 2015 - Art, Karlstruhe, Galeria Bode, Modern Art, Gjermani.