Hapet ekspozita “Një jetë bardh e zi” e autorit Avni Pantina
Prishtinë, 22 mars - Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Një jetë bardh e zi,” të autorit Avni Pantina.
Kjo ekspozitë përmban një set të fotografive bardh e zi që autori i ka realizuar në Somali të Afrikës.
Karakteret e kapura nga syri i aparatit të Avni Pantinës paraqesin një popull të vuajtur dhe në varfëri të skajshme, mirëpo me një kulturë shumë fisnike dhe dinjitoze.
Avni Pantina u lind më 1987 në Klinë. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Dizajnit Grafik, ndërkaq është kandidat për PhD në Universitetin “Hacettepe” të Turqisë.
Deri më tani, Avni Pantina ka realizuar pesëmbëdhjetë ekspozita, prej të cilave shtatë në Turqi, një në Somali dhe të tjerat në Kosovë.
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është ekspozita e tij e parë personale.
Gjithashtu z. Pantina është edhe fitues i disa shpërblimeve brenda dhe jashtë vendit si “Salloni i Nëntorit” në Prishtinë në vitin 2010, pastaj çmimin për grafikën më të mirë në vitin 2015 në Fakultetin e Arteve-Universiteti i Hacettepes në Turqi, etj.
Ky projekt drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është z. Burim Myftiu.