Hapet ekspozita e fotografisë "Centenarian" e Samir Karahodes
Ekspozita e financuar nga GMK, përmban 11 fotografi me vlera unike, portrete të grave kosovare në moshën njëqindvjeçare.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur deri më datën 24 dhjetor dhe me këtë ekspozitë, Galeria e Ministrisë së Kulturës përfundon programin artistik per këtë vit.
Samir Karahoda u lind në Prizren në vitin 1977. Në vitin 1992 filloi të punojë si fotograf në një studio fotografie në Prizren.
Në vitin 2003, diplomoi në Universitetin Mimar Sinan, Fakulteti i Arteve të Bukura - Departamenti i Fotografisë, në Stamboll, ku edhe për momentin është duke kryer studimet post diplomike në drejtimin e fotografisë.
Nga viti 2003 jeton dhe punon në Kosovë si fotograf i pavarur dhe kinematograf. Punët e tij u publikuan në shumë media dhe festivale ndërkombëtare, përfshirë revistat: Times, Der Spiegel dhe The Guardian.
Për dy vite ligjëroi në Institutin e Fotografisë dhe Filmit "Gjon Mili" në Prishtinë. Aktualisht punon dhe jeton në Prishtinë. Prej vitit 2003 është pjesë e Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër Dokufest, ngjarjes më të madhe kulturore në vend dhe ndër më të rëndësishmeve në regjion, dhe që nga viti 2007 është kurator i programit të filmit të shkurtër në këtë festival.
Ka kuruar programe me fokus filmin e shkurtër kosovar dhe ballkanik për festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit.
Si pjesë e ekspozitave kolektive, punët e tij u ekspozuan në më shumë se 30 ekspozita kombëtare e ndërkombëtare.
Kjo është ekspozita e katërt personale pas Rurban, Postwar dhe Tren. Në vitin 2008 publikoi librin e tij të parë fotografik të titulluar Tren.