Hapet ekspozita dhe performanca 'Metamorphosis'
Prishtinë, 6 shtator - Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e ekspozitës dhe performancës - “Metamorphosis”.
“Metamorphosis” është një projekt i realizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, i cili ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit.
“Shtatëmbëdhjetë” është i përkushtuar të krijoj një mjedis edukues për qytetarët e të gjitha gjinive dhe moshave në të gjitha nivelet e rrugëtimit të tyre, duke inkurajuar pjesëmarrjen në jetën publike nëpërmjet artit, kulturës, arsimit dhe informimit dhe duke shërbyer si një burim jetësor krijues për komunitetin.
Prandaj, edhe veprimtarinë e vet e ka nisur me një projekt i cili ka përfshirë më shumë se 20 të rinj e të reja.
Për tri ditë me radhë ata u bën pjesë e dy punëtorive, Konstruksion dhe Performancë. Gjatë kësaj periudhe ata mblodhën informata rreth objektit të braktisur i cili njihet si mensa e punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”.
Nëpërmjet një pune hulumtuese në terren, dhe pas bisedave me banorët e lagjes ata kanë arritur që të mbledhin një historik të shkurtër rreth objektit, ashtu siç banorët e kujtojnë. Rrëfimet e tyre më pas i kanë përkthyer në vepra arti të cilat përmes një ekspozite dhe performance do të shpalosen para publikut me datën 6 të muajit shtator.
“Shtatëmbëdhjetë” ju fton që të bëheni pjesë e përjetimit më ndryshe të një cope të historisë për objektin i cili u ndërtua gati 70 vjet më parë. Kjo ndërhyrje artistike e cila do të bëhet nga të rinjtë dhe të rejat vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë dhe memories kolektive.
Ky projekt financohet nga BE, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.