Hapet ekspozita arkeologjike Një Komb, Një Kulturë
Prishtinë, 18 korrik - Në Muzeun e Kosovës për më shumë së tre muaj do të jetë e hapur ekspozita arkeologjike Një Komb, Një Kulturë, e përgatitur nga Instituti i Monumenteve të Shqipërisë në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës.
Ekspozita, që rrëfen rrugëtimin në shekuj të kombit shqiptar u hap sonte, me një ceremoni rasti në të cilën të pranishëm ishin Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Visar Zhiti, deputetë, përfaqësues të ambasadave, arkeologë, arkitektë dhe përfaqësues nga institucione të tjera qeveritare dhe joqeveritare. Një Komb, Një Kulturë mbahet nën patorantin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqit dhe homologut të tij nga Shqipëria, Visar Zhiti.
Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi tha se ekspozita është një vazhdimësi e bashkëpunimit mes dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, e që ai e ka vlerësuar si model.
Ministri shtoi se kjo ngjarje përben një hap të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore, në lidhjen e kombit, dhe mbi të gjitha për ruajtjen dhe prezantimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Ai ka falënderuar MTKRS-në për bashkëpunimin si dhe ka përgëzuar gjithë ekipin që ka punuar në sjelljen e kësaj ekspozitë në Muzeun e Kosovës.
Mendoj se kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë qytetarët, për më tepër gjeneratat e reja të shohin kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore. Është një prej dokumenteve më autentike për mënyrën se si kanë jetuar të parët tanë, ka thënë ai, teksa ka shprehur gatishmërinë e MKRS-së që të thellojë bashkëpunimin me institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me qëllim të avancimit të kulturës dhe vlerave të mirëfillta.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme hapjen e ekspozitës Një Komb, Një Kulturë edhe në Prishtinë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Visar Zhiti, tha se ky është edhe një hap më shumë në bashkimin shpirtëror të kombit shqiptar dhe rritjes së iniciative të mirëfillta kulturore.
Jam i bindur se një ekspozitë si kjo do të ndihmoj edhe më shumë në njohjen e kulturës sonë. Ne jemi pjesë e mozaik të kulturës së Ballkanit dhe kjo ekspozitë është një ngjarje përtej kufijve tanë. Kjo ngjarje gjithashtu tregon për një bashkëpunim të shkëlqyer të shteteve tona, tha ai.
Kuratori i kësaj ekspozite, drejtori i Institutit të Monumenteve të Shqipërisë, Apollon Bace tha se ekspozita është mjaftë unike dhe përmban gjetje arkeologjike në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ai shtoi se gjithë kjo që prezantohet tregon për një rrëfim unik për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ekspozita është dhënë edhe në disa qendra të tjera të botës. Në Prishtinë ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Tetor 2013.