Hapen edhe dy minibiblioteka në Prishtinë
Prishtinë, 12 dhjetor - Organizata Jo Qeveritare ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizojnë hapjen e dy minibibliotekave në Sheshin “Adem Jashari” dhe Kampusin Universitar në Prishtinë.
Kryeqytetit po i shtohen edhe dy minibiblioteka të reja. "Pas pezullimit të procesit të hapjes së minibibliotekave me qëllim të ndërmarrjes së masave për rritjen e nivelit të sigurisë dhe mirëmbajtjes së tyre – kthehemi prap për të vazhduar më tutje me hapjen e minibibliotekave të reja. "
E gjithë kjo punë në nderim dhe promovim të dijes, përkatësisht librit, mbi bazën e të cilit do duhej të ngritet çdo personalitet njerëzor – po bëhet falë një bashkëpunimi të gjerë mes organizatave, bizneseve, institucioneve dhe qytetarëve vullnetmirë, si: ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria "Dukagjini", Forumi për Iniciativa Qytetare, Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Prishtinës dhe mbi 150 qytetarë qe kanë ndarë mjete financiare dhe libra për minibibliotekat.