10 Janar 2025

Hamami i Prizrenit prej muajsh i cenueshëm

Prizren, 23 mars - EC Ma Ndryshe gjatë muajit mars ka hulumtuar çështjen e restaurimit të pullazit të Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren respektivisht arsyet për ndërprerjen e punimeve në këtë projekt.

Në bazë të informatave të marra nga përgjegjësit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore del se punimet në këtë projekt kanë qenë të parapara të kryhen deri në muajin maj të vitit 2014 dhe se me përfundimin e fondeve të ndara nga UNESCO-ja ato janë ndërprerë.

UNESCO ka iniciuar projektin. Plani i restaurimit është hartuar nga  QRTK-ja. UNESCO ka shpallur tenderin ndërkombëtar për realizimin e punimeve, dhe sipas njohurive të QRTK-së, shuma e ndarë për punime të restaurimit në këtë fazë ka qenë 163 mijë e 528 euro. Kontratat dhe pagesat janë bërë drejtpërdrejtë mes UNESCO-s dhe punëkryesit, pas konfirmimit dhe verifikimit të çdo pozicioni nga ana e mbikëqyrësit të QRTK-së dhe të UNESCO-s.

Sipas QRTK-së gjatë restaurimit kanë dalë punime shtesë meqë janë konstatuar dobësi të theksuara në strukturën e hamamit, pasi është hasur se katër kube dhe një qemer në anën perëndimore të Hamamit të rindërtuara në vitet 1960/70 janë punuar dobët dhe se struktura e tyre ka qenë para kolapsit, prandaj dhe me miratimin e UNESCO-s dhe mbikëqyrësit të punimeve është vendosur që të intervenohet edhe në këtë drejtim.

Ndërsa zyrtarët përgjegjës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë konfirmuar se punimet në restaurimin e pullazit të Hamamit janë ndërprerë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. MKRS ka shpjeguar se ka shqyrtuar mundësinë e mbështetjes financiare për punimet shtesë dhe të paparapara në Hamam, por se për shkak të vonesave në procesin e rishikimit buxhetor nuk është marrë ndonjë vendim.

Zyrtarët e QRTK-së kanë shpjeguar se shuma e nevojshme për përfundimin e punimeve në pullazin e Hamamit është 57 mijë e 730 euro dhe se kërkesat për mbështetje financiare për përfundimin e punimeve të fazës së parë janë adresuar në MKRS, Komunën e Prizrenit, ambasadat dhe agjencitë e huaja dhe se deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje pozitive.

MKRS ka konfirmuar pranimin e kërkesës nga QRTK-ja, dhe ka bërë të ditur se e ka adresuar si prioritet dhe pret që e njëjta të miratohet.

Përderisa priten mjetet për vazhdimin e restaurimit, është raportuar se muajin e kaluar Hamami në dy raste ka qenë cak i keqbërësve, të cilët dyshohen se kanë dëmtuar shtresën e plumbit të vendosur në pullaz, gjë që është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila është duke e hetuar rastin. Madje, vjedhja e plumbit nga Hamami ka ndodhur edhe në të kaluarën.  

Duke i marrë për bazë këto të gjetura EC Ma Ndryshe konsideron se mos përmbyllja e punimeve në objektin e Hamamit e bën atë të cenueshëm, prandaj dhe duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmbylljen e punimeve restauruese dhe shtimin e masave të sigurisë, marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një monument shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Prandaj EC Ma Ndryshe rekomandon QRTK-në dhe MKRS-në që në projektet e ardhshme të kenë planifikim më të kujdesshëm, në mënyrë që të parashihen fonde edhe për punët e mundshme shtesë, apo që kërkesat e kësaj natyre të adresohen më me urgjencë;

Po ashtu i bën thirrje MKRS-së që me urgjencë të angazhohet për gjetjen e fondeve për përmbylljen e punimeve të restaurimit të pullazit të Hamamit;

Nga QRTK dhe MKRS kërkon që të gjejnë një zgjidhje për vendosjen e rojeve, si masë të shtuar për sigurinë e objektit dhe

Policia e Kosovës rekomandohet që të  ndriçoj rastet e vjedhjes së plumbit nga Hamami si dhe të shtojë patrullimet rreth monumenteve të trashëgimisë kulturore.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)