GKK-ja dhe FK-ja bëhen me këshill
Prishtinë, 25 gusht - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka emëruar të hënën anëtarët e Këshillit të Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK) dhe ata të Filarmonisë së Kosovës (FK).
Emërim i anëtarëve të dy këshillave vjen pas përfundimit të mandatit të tyre.
Për anëtarë të Këshillit të Galerisë Kombëtare të Kosovës janë emëruar: Eliza Hoxha, Shkëlzen Maliqi, Zake Prelvukaj, Basri Capriqi, Arjeta Emra, Lirjon Kadriu dhe Arlinda Hajrullahu, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në njoftimin e MKRS-së, është thënë se kompetencat e këtij këshilli burojnë nga Ligji për Institucionet e Kulturës dhe Statuti i GKK-së, ndërsa mandati i Këshillit është katër vjet.
Ndërkaq për anëtarë të Këshillit Drejtues të Filarmonisë së Kosovës, ministri Krasniqi ka emëruar: Merita Juniku, Astrit Pallaska, Shkumbin Bajraktari, Adelina Paloja dhe Kamuran Gorani, përfaqësues i MKRS-së.
Kompetencat e Këshillit të Filarmonisë burojnë nga Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, ndërsa mandati i Këshillit të Filarmonisë është tre vjet.