'Gjuj me dritë' nga Oborri fiton “Videoklipi më i mire” në Venedik
Venedik 25 mars - Videoklipi i këngës “Gjuj me dritë” nga duo/bendi nga Prishtina, Oborri ka fituar çmimin videoklipi më i mirë në festivalin "Ca' Foscari Short Film Festival" në Venedik, Itali.
Klipi i këngës është realizuar nga Dritëro Mehmetaj, regjisor i ri nga Kosova i cili për momentin po studion në universitetin e famshëm të filmit "FAMU" në Pragë.
Rolet kryesore në këtë videoklip i luajnë Andi Bajgora, aktori i cili ishte pjesë e çmimeve Oskar me filmin "Shok", si dhe Rinesa Qeriqi.
Kënga "Gjuj me dritë" është videoklipi i katërt nga albumi "Oborri", i cili është lansuar në gusht 2017, dhe reflekton mbi ndjenjat intensive e kaotike të të rinjëve që rriten në Prishtinë.
Xhirimet kanë ndodhur në deponinë e madhe të bërllogut në Mitrovicë, dhe pamjet sureale paraqesin një kontrast të fuqishëm në mes të të rinisë së bukur me plot shpresë e ngjyra dhe të mbeturinave, pluhurit e kaosit që mbretëron përreth.
Oborri, i përbërë nga Tomor Kuçi e Arbër Salihu, pak muaj më parë e kishin realizuar turneun e tyre të parë ballkanik, me performanca në Shqipëri, Maqedoni, Sërbi e Kosovë.