Gjakova sivjet bënë pjesë në Ditët e Trashëgimisë Evropiane 2015
Prishtinë, 5 gusht - Nën kryesimin e Kryetares Mimoza Kusari Lila, Bordi i Drejtorëve mbajti mbledhjen e parë për muajin gusht, ku fillimisht me kërkesën e Drejtorisë Komunale për Arsim është formuar komisioni ad-hoc për shqyrtimin e ankesave lidhur me ndarjen e bursave, po ashtu nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është formuar komisioni për shqyrtimin e ankesave të aplikacioneve në skemën granteve, e cila ka përfunduar me datë 05 gusht të këtij viti.
Nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa është shqyrtuar kërkesa për verifikimin e gjendjes në terren të shfrytëzimit të pronave komunale ku njëkohësisht është formuar edhe një komision i cili përfundimisht do të bëjë këtë verifikim dhe do të prezantoj të dhënat në fund të muajit shtator, të cilat do të përcillen në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Kuvendit të Gjakovës.
Nga Bordi i Drejtorëve është dhënë miratimi për subvencionim të projektit Treni i Trashëgimisë 2015, projekt ky i cili këtë vit do të përfshijë edhe Gjakovën dhe planifikohet të filloj nga 19 Shtator 2015 deri me 04 Tetor 2015.
Silvana Domi, Drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik ka thënë se ky projekt do tju ofroj mundësinë të interesuarve për një udhëtim vizita të monumenteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore me fokus të veçantë në komunat e Pejës, Gjakovës dhe Deçanit gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2015 në Kosovë.
Këto vizita në Gjakovë do të bëhen të dielave, ku bartja e vizitorëve do të bëhet nga stacioni i trenit në Rakovinë për në Gjakovë dhe anasjelltas, ndërsa vizitorët do të kenë mundësinë të vizitojnë Xhaminë e Hadumit, Muzeun Etnologjik, Hanin e Haraqisë, Kishën Ortodokse dhe Çarshinë e Madhe.
Për këtë miratim, Kryetarja Mimoza Kusari Lila është shprehur se është një projekt në përputhshmëri të plotë me programin tonë për promovimin e turizmit dhe të artizanateve në Komunën e Gjakovës.
Në fund, Armend Behluli, udhëheqës i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim ka njoftuar Bordin e Drejtorëve se është kryer revidimi i projektit ideor të kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën Lekë Dukagjini në Dardani.