Gëzim Paçarizi, Kurator i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut
Prishtinë, 19 shkurt - Arkitekti i njohur kosovar, Gëzim Paçarizi do të jetë Kurator i Pavijonit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienalen e Venedikut. Paçarizi është emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kosovës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi, bazuar në vendimin e mëhershëm të Ministrit Memli Krasniqi për pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut në Ekspozitën e Arkitekturës, dhe pas dhënies se propozimeve nga Bordi Këshillues, i emëruar me vendim të Ministrit.
Në Bord Këshillues janë: Ilir Gjinolli, Ilir Murseli, Gjejlane Hoxha, Florina Jerliu dhe Përparim Rama.
Gëzim Paçarizi ka studiuar në Prishtinë dhe Gjenevë për Arkitekturë. Ai ka disa vjet që punon në Zvicër në fushën e arkitekturës e po ashtu edhe në Kosovë. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare të arkitekturës dhe konferenca të ndryshme.
Kuratori ka për detyrë ta ideojë, zhvillojë dhe implementojë konceptin e ekspozitës. Kuratori duhet të ketë gatishmëri që të punojë për së afërmi me Komisionerin për ta zbatuar konceptin në ekspozitë dhe është autori i idesë dhe konceptit të ekspozitës.
Ndryshe ditë me parë Ron Arad, një nga arkitektet më të njohur në botë, është emëruar Këshilltar Special i Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienalen e Venedikut që do të mbahet këtë vit. Vendimin për emërimin e tij e ka marrë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Shpenzimet për realizimin e ekspozitës do ti mbulojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke përfshirë edhe koordinimin e donacioneve të mundshme. MKRS po ashtu është edhe komisionere e Pavijonit.
Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Bienalen e Venedikut, dhe hera e dytë në Ekspozitën e Arkitekturës.