30 Dhjetor 2024

Franca e Kosova thellojnë bashkëpunimin në kulturë

Prishtinë, 22 tetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot Ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet me të cilën kanë biseduar për të arriturat e deritanishme në sferën e kulturës, sfidat si dhe format e bashkëpunimit në këtë fushë në mes të dy vendeve.

Ministri Krasniqi e informoi ambasadoren për aktivitetet kulturore të organizuara deri më tani si dhe sukseset që kanë arritur artistët tanë brenda dhe jashtë vendit.

Gjithashtu, ai potencoi se synimi i MKRS-së për të ardhmen është që të rritet buxheti dhe përkrahja edhe më shumë për kulturën, në mënyrë që përveç organizimeve të shumta të aktiviteteve kulturore, të bëhet edhe prezantimi sa më i denjë i skenës sonë kulturore në ngjarjet më të mëdha kulturore në botë.

Ministri Krasniqi vuri një theks të veçantë dhe vlerësoi bashkëpunimin që Kosova dhe Franca kanë pasur deri tash në fushën e kulturës dhe në përkrahjen e shumë projekteve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë.

Ministri shprehu përkushtimin e tij që ky bashkëpunim të rritet, duke marrë iniciativa dhe aktivitete të ndryshme të përbashkëta duke krijuar kështu një lidhje më të fortë mes dy vendeve.

Ndërkaq Ambasadorja Maryse Daviet u ndje e kënaqur për punën dhe angazhimin e deritanishëm të MKRS-së duke e përgëzuar ministrin për mbështetjen dhe promovimin e kulturës në përgjithësi.

Ajo ka shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të thellohet edhe më shumë përmes bashkëpunimit dhe bashkëveprimit në përmirësimin e mëtutjeshëm të jetës kulturore.

Ministri dhe Ambasadorja u pajtuan që në të ardhmen e afërt të konkretizohet bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në mënyrë që në vitin e ardhshëm të ketë aktivitete të përbashkëta të prezantimit të skenës kulturore dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës në Francë por edhe të Francës në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)