Forbes: Ja kush janë hip-popistët më të pasur
New York, 22 prill - Revista Forbes ka publikuar emrat e pesë artistëve më të pasur të hip-hopit në vitin 2012. Emrat janë pak a shumë të njëjtët, sepse lista nuk është se ka ndryshuar shumë në vitet e fundit.
Në vendin e parë gjendet Sean \"Diddy\" Combs, ose ndryshe Puff Diddy, ndërsa pasuria e tij është vlerësuar në 550 milionë dollarë.
Muzika është e fundit në listën e gjërave që e kanë bërë të pasur hip-popistin, në fakt. Bizneset private kanë qenë ato që ia kanë shtuar të ardhurat, siç është investimi në firmën e vodkës Ciroc, linjat e veshjeve Sean John dhe Enyce, apo shtëpia e tij botuese.
Në vendin e dytë është Jay-Z, i cili vlen plot 460 milionë dollarë, dhe ato që kanë meritë për këtë pozitë të lartë në këtë listë janë investimet në klubin e basketbollit New Jersey Nets, zinxhiri i klubeve 40/40 dhe firma personale e marketingut Translation.
Ndërsa pas këtyre dy këngëtarëve të famshëm ndodhen Dr.Dre (Andre Young), i cili pasohet nga Birdman (Bryan Williams) dhe në vendin e pestë ndodhet 50 Cent (Curtis Jackson).