“Flaka e Janarit” hyn në mbrojtje të shtetit
Gjilan, 26 tetor - Manifestimi kombëtar kulturor “Flaka e Janarit”, ngjarje tradicionale që organizohet në Gjilan, zyrtarisht sot ka marrë statusin e mbrojtjes së trashëgimisë shpirtërore kulturore. Kjo u realizua pasi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrja Valdete Bajrami, ia dorëzoi dosjen e manifestimit kryetarit të komunës, Lutfi Haziri.
Ministrja Dumoshi ka folur për rëndësinë e këtij manifestimi dhe ka vlerësuar që 29 manifestimet që janë mbajtur, nga viti në vit, “Flaka” ka pasur shumë avancime.
“Vitin e ardhshëm, së bashku festojmë 30 vjetorin, prandaj na obligon ta ruajmë, zhvillojmë dhe afirmojmë edhe në përmasa ndërkombëtare, si të veçantë meqë nderon figurat më të ndritshme të kulturës dhe të kombit”, u shpreh ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke potencuar faktin se më parë ky manifestim është organizuar nën përkujdesjen e komunës, kurse tani e tutje do te jemi së bashku, por gjithsesi dhe me të tjera institucione të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
“E vlerësoj manifestimin Flaka e Janarit, sepse nga fillimi i është përmbajtur skenës programore, duke respektuar katër shtyllat respektivisht katër veprimtari komplekse si: Arti Pamor, Arti Skenik, Arti Letrar, dhe Arti Muzikor, shtylla këto që identifikohen me veprimtarinë krijuese të Jusuf Gërvallës, kurse vet manifestimi nis rrugëtimin ne përvjetorin e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka me aktivitete te mbajtura në Breslac, Gjilan dhe Perlepnice”, sqaroi tutje ministjra Dumoshi, duke u shprehur se ky manifestim, veç tjerash ka nderuar shume krijues, edhe shume të tjerë që priten të nderohen në vitet në vazhdim.
Ministrja Dumoshi premtoi se ky manifestim do të përkrahet nga MKRS-ja pasi që, si organizim “Flaka e Janarit” mundëson pjesëmarrjen e artistëve kulmor të kombit dhe afirmon kulturën e vlerat tona.
Ndërkaq, kryetari Haziri e falënderoi ministren dhe MKRS-në për këtë vendim për ta futur në mbrojtje manifestimin e “Flakës” duke i dhënë peshë, vlerësim e rëndësi këtij organizimi. “Kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Europian ia ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”. Për 30 vjet, burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë. Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.
Manifestimi kombëtar i kulturës “Flaka e Janarit”, u themelua dhe nisi rrugëtimin me 18.01.1992, në 10 vjetorin e shënimit të rrënjës së heronjve të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Konsiderohet një organizim ndër më unikët dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit.