Fjollat e para të borës, lajmëtaret e festivalit 50 Poems for snow
Prishtinë, 27 nëntor - Fjollat e para të borës që ranë në Prishtinë, për këtë stinë, janë lajmëtaret e datës së mbajtjes së festivalit ndërkombëtar të poezisë 50 Poems for snow (50 poezi për borën).
Ky festival i përvitshëm, pa buxhet, organizohet që nga viti 2012 në qiell të hapur në natën e borës së parë.
Këtë vit , Prishtina i prinës listës së qyteteve ku organizohet festivali, pasi qytetet e tjera, mes tyre, Londra e Çikago, janë në pritje të borës së parë.
Edicioni i parë i festivalit 50 Poems for snow në Prishtinë, organizohet sonte (27 Nëntor 2015) , më fillim në ora 21:00.
Në errësirën dhe borën e kopshtit të Soma Book Station, sjellin bukurinë e fjalës: Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi dhe Ndriçim Ademaj.
Krahas poezive të tyre, poetët do të lexojnë vargje nga poeti i zemrës, Mevlana Xhelaleddin Muhammed Rumi(1207-1273), të cilit i përkushtohet festivali këtë vit.