Fituesi i çmimit Oscar do të ligjërojë në festivalin e filmit studentor të UP-së
Prishtinë, 7 maj - Festivali i studentëve të Katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Fakultetit të Arteve “CINEUP” do të jetë nikoqir i njërit nga fituesit e njëpasnjëshëm të çmimit Oscar, Paul Haggis, i cili është skenarist, producent dhe regjisor i filmit me renome ndërkombëtare.
Hagiss do t’u ligjërojë sot studentëve, me fillim nga ora 17:00. Linkun e takimit online mund ta gjeni në faqen zyrtare të Katedrës të Regjisë dhe Televizionit, në rrjetin social Facebook. Ligjërata është publike dhe pjesë e saj mund të bëhen të gjithë dashamirët e filmit.
Kjo masterklasë është e dyta e këtij lloji, sepse ditën e djeshme festivali mbajti mastërklasën me prof. dr. Enver Petrovcin, e cila zgjoi interesimin e shumë studentëve.
Festivali virtual, i cili u hap zyrtarisht më 5 maj, do të transmetojë 31 filma të studentëve të kësaj katedre.
“Ky festival iu përket të gjithë studentëve të Regjisë së Filmit dhe Televizionit dhe i gjithë festivali është i pasuruar me filmat e studentëve të katërviteve të studimit. Por, ky festival do të përmbajë edhe filmat e të diplomuarve, të cilët e kanë realizuar punën e tyre gjatë studimeve”, tha Loreta Berbatovci, koordinatore e festivalit dhe njëkohësisht studente e kësaj katedre.
Ndër të tjera, Loreta tha se ky festival është mundësi e mirë që puna e studentëve të promovohet dhe të shihet nga një audiencë e gjerë.
“CINEUP” ka nisur rrugëtimin me edicionin e parë të tij, i cili po mbahet virtualisht për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID -19. Mirëpo, festivali i vetëm aktual në Kosovë i filmave të studentëve synon që të shndërrohet në festival tradicional dhe të hapet edhe për studentët e vendeve tjera.