Filmi “Mbijetesa dhe shkolla” mori çmimin e parë në International Ferfestival
Prishtinë, 7 shtator - Filmi dokumentar “Mbijetesa dhe shkolla” mori çmimin e parë të jurisë profesionale edhe të edicionit të nëntë të “International Ferifestival 2021”, që përfundoi mbrëmë në Ferizaj.
Producenti dhe skenaristi i filmit Nuhi Bytyçi, duke e marrë këtë çmim në emër të ekipit realizues të tij, fillimisht falënderoi jurinë dhe drejtorin artistik të këtij festivali Sabri Pajazitin për vlerësimin e përkushtimit profesional në realizimin e tij dhe njëherësh shprehu bindjen se tashmë po vlerësohet edhe puna dhe qëllimi i filmit “Mbijetesa dhe shkolla”.
Qëllimi im si skenarist dhe producent i tij, i regjisorit Ilir Kabashit, drejtorit të fotografisë Bekim Qyqalla dhe i kameramanit të imazheve të periudhës së luftës Abaz Zeka, padyshim ka qenë që të prezantojmë luftën e popullit shqiptar për dije, shkollim edhe në rrethana lufte, i sakrificës së tij për liri, pavarësi dhe civilizim evropian, theksoi Nuhi Bytyçi.
Ai falënderoi kolegët e tij për punën dhe bashkëpunimin në realizimin e filmit.
Për filmin dokumentar "Mbijetesa dhe Shkolla" ky është çmimi i 10 deri tani.
Dokumentari "Mbijetesa dhe Shkolla" është financuar nga QKK- Qendra Kinematografike e Kosovës, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, kurse është realizuar nga Kompania filmike "IDEA" në bashkëpunim me produkcionin "negativFILM".