Filmi Çlirimi i regjisorit Burim Haliti gati për shtator
Prishtinë, 4 gusht - Qendra Kinematografike e Kosovës, ka njoftuar se kanë përfunduar xhirimet në qytezën e Lipjanit të filmit të shkurtër Çlirimi me regji dhe skenar nga Burim Haliti.
Ky film trajton temën e luftës në Kosovë. Gjatë luftës në vitin 1999, një arsimtar dhe një nxënës, mbesin të ngujuar në një shkollë fillore, ata mbijetojnë brenda shkollës disa muaj, deri sa në fund ndodhë diçka e papritur! Xhirimet kanë shkuar me sukses dhe janë përmbyllur sipas planit, kanë qenë 7 ditë xhirime ku është punuar me intensitet të madh, ka deklaruar regjisori Burim Haliti.
Regjisori është i njohur për filmin e tij Hekurishtja i cili ka pasuar pjesëmarrje në shumë festivale ndërkombëtare dhe i ka sjell regjisorit mjaftë sukses.
Filmi është në fazën e postproduksionit dhe pritet që tërësisht të përfundoj në shtator të këtij viti ndërsa premiera mendohet të jetë në ndonjë festival të filmit ndërkombëtar në Europë.
Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 9 mijë euro dhe është prodhim i kompanisë Eureka Film & Production, në rolet kryesore janë Xhelal Haliti dhe Valmir Selimi.