Filmat e studentëve kosovar në konkurrencë ndërkombëtare
Prishtinë, 11 nëntor - Edicioni i XII i Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër që sivjet mbahet nga data 2 deri më 7 dhjetor ka nderin të bëjë publik marrëveshjen që është arritur mes SKENA UP dhe Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina.
SKENA UP këtë vit ka vendosur që ti fus në një garë filmat e studentëve ndërkombëtar dhe ata kosovar. Kësisoj në konkurrencën ndërkombëtare të filmave do të garojnë edhe filmat e prodhuar nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Në këtë mënyrë është hequr programi kombëtar i filmave dhe kjo është bërë me një arsye.
Si festival i studentëve ne dëshirojmë që ti fusim në një konkurrencë të përbashkët të gjithë prodhimet e filmave nga e gjithë bota, përfshirë edhe filmat kosovar. Ne besojmë që cilësia e filmave kosovar duhet të konkurrojë me cilësinë e filmave të studentëve nga vende të ndryshme të botës, tha Hana Qena, drejtoreshë e Festivalit SKENA UP.
Përtej kësaj, SKENA UP sipas marrëveshjes me Fakultetin e Arteve, gjatë festivalit do të shfaqë edh një projeksion special të prodhimeve të filmave nga studentët e Fakultetit të Arteve.
Marrëveshja është arritur ndërmjet drejtoreshës së Festivalit SKENA UP, Hana Qena, dhe Ismet Sijarinës nga Fakulteti i Arteve.
Jemi të lumtur që kemi arritur këtë marrëveshje që nëpërmjet këtij projeksioni special, SKENA UP të prezantoj prodhimet e fundit të filmave të studentëve kosovar. Në këtë mënyrë ne do të shpërfaqim para mysafirëve të festivalit që vijnë nga shkollat më të mira të filmit në botë dhe audiencës lokale, filmat më të mirë të studentëve kosovar, tha Hana Qena, drejtoreshë e SKENA UP.
Programi i filmave për këtë projeksion special ashtu sikurse edhe për konkurrencë ndërkombëtare do të përgatitet nga Fakulteti i Arteve në bashkëpunim me SKENA UP.
Jemi pajtuar që në vend të konkurrencës kombëtare, në SKENA UP të organizohet një ditë që i dedikohet shkollës sonë të filmit. Kësisoj edhe SKENA UP si festival i studentëve do të mbaj eksluzivitetin e premierave të filmave të studentëve kosovar të cilët zakonisht prodhohen në fundvit, tha Ismet Sijarina, profesor në Fakultetin e Arteve.
Programi i projeksionit special do të zgjas afërsisht 1 orë dhe në të do të shfaqen prodhimet më të fundit të studentëve kosovar të filmit.