Fillon punëtoria dy ditore Gjakova Mike për Fëmijët
Gjakovë, 18 shkurt - Sot në Komunën e Gjakovës ka filluar punëtoria dy ditore Gjakova Mike pёr Fëmijët e cila organizohet nga Komuna e Gjakovёs, me mbështetje të UNICEF nё kuadër tё iniciativës Gjakova pёr Fëmijët nё bashkëpunim me Agjencinë ASD Group (LCC).
Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie është që tё diskutoj mbi çështjet si miratimi i Udhëzuesit pёr Komuna Mike mbi promovimin dhe mbrojtjen e tё drejtave tё fëmijëve, definimin e treguesve si dhe identifikimin e buxhetit dhe shpenzimeve pёr fëmijët.
Në këtë punëtori ka marrë pjesë edhe kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila në hapjen të saj është shprehur tejet e lumtur me bashkëpunimin që Komuna e Gjakovës, tashmë që një vit e gjysmë, e ka me UNICEF në pilot projektin Gjakova Mike për Fëmijët.
Jam shumë e lumtur që UNICEF ka zgjedhur pikërisht Gjakovën për një projekt të tillë ku duhet theksuar së gjatë kësaj periudhe të implementimit janë zhvilluar shumë aktivitete me rëndësi të madhe për zhvillimin e fëmijëve.\"
\"Ky pilot projekt do të shërbej që në të ardhmen këto aktivitete të mbesin si praktika të Komunës së Gjakovës dhe të bëhen politika tona lokale ku më tutje mund të përcillen edhe tek komunat tjera, ka theksuar kryetarja Kusari Lila.
Ajo më tutje ka përmendur edhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar deri më tani bazuar në prioritetet që janë përcaktuar në memorandumin e bashkëpunimit me UNICEF.
Ndër të tjera, kryetarja ka theksuar se është themeluar Mekanizmi për Mbrojtjen e Drejtave te Fëmijëve si një organ i përhershëm në strukturën komunale, është dhënë asistencë teknike për autoritetet komunale për identifikimin e shërbimeve ekzistuese shëndetësore, arsimore dhe sociale që lidhen me zhvillimin ne fëmijëri te hershme, është miratuar plani Komunal i veprimit për rritjen e qasjes në arsim nga autoritetet komunale, janë zhvilluar aktivitete në mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë komunale si dhe fushata e vetëdijesimit për regjistrimin e të porsalindurve në veçanti për komunitetin RAE, etj.
Nga ana tjetër, Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Lajla Omar Gad, fillimisht ka falënderuar kryetaren Mimoza Kusari Lila, për bashkëpunimin e frytshëm të Komunës së Gjakovës në këtë projekt duke shprehur se ky pilot projekt ka shërbyer si mekanizëm kryesor i përkthimit të politikave qendrore dhe ndërkombëtare në aktivitete të prekshme lokale për mbrojtën e fëmijëve, që do të përcillen edhe në komunat tjera të Kosovës.
Ajo më tutje ka përshkruar në detaje projektin Gjakova Mike për Fëmijët ku ka theksuar se prioritetet kryesore që e bëjnë Gjakovën qytet Mik për Fëmijët janë ligjet dhe rregulloret për fëmijët, sistemi institucional për fëmijët, buxhetimi për fëmijët, vetëdijesimi për të drejtat e fëmijëve, ndërtimi i kapaciteteve, etj.
Të gjitha këto aspekte kanë filluar të implementohen në Komunën e Gjakovës duke promovuar një komunë gjithëpërfshirëse në mbrojtën dhe fuqizimin e fëmijëve në arsim, shëndetësi dhe fuqizim/pjesëmarrje të rinisë, është shprehur Lajla Omar Gad.
Më tutje gjatë kësaj punëtorie nga Veton Sylhasi është prezantuar edhe Udhëzuesi pёr Komuna mike pёr fëmijët, si dhe janë bërë diskutime rreth udhëzuesit nga zyrtarët komunal dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Punëtoria do të vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme ku do të diskutohet rreth procesit të buxhetimit për fëmijët dhe identifikimit të indikatorëve për drejtoritë komunale.