Fillon projekti i ri për trashëgimi kulturore
Prizren, 13 korrik - Nën tinguj të muzikës dhe xhirime nga vendet e trashëgimisë në Kosovë, kinemaja Lumbardhi në Prizren ka pritur mysafirë të dalluar në mes të cilëve edhe Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Ulrika Richardson, Koordinatore e KB për zhvillim dhe Përfaqësuese Rezidente e UNDP, Zëvendës Ministren për Kulturë, Rini dhe Sport Burbuqe Bakija Deva, përfaqësues të korit diplomatik, udhëheqës fetar, partnerë vendor dhe ndërkombëtarë, kryetarë të komunave, përfaqësues të OJQ të cilët janë bashkuar për të nisur projektin e financuar nga BE “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse së trashëgimisë kulturore".
"Gjatë tërë vitit Evropa do të festojë trashëgiminë tonë të llojllojshme kulturore në nivel të BE-së, atë nacional, rajonal dhe në nivel lokal. Llojllojshmëria kulturore është një pjesë përbërëse e jetës dhe vlerave të Bashkimit Evropian. Shumë aktivitete të parapara në këtë projekt të financuar nga BE-ja do të synojnë afrimin e komuniteteve duke u bazuar në trashëgimi të përbashkët dhe zhvillimin e kapaciteteve vendore për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në veçanti angazhimin e grave dhe të rinjve”, tha Apostolova në fjalimin e saj hyrës.
Ulrika Richardson theksoi rëndësinë e projektit: “Me këtë projekt do të promovojmë angazhimin e shtuar të burrave dhe grave të reja në ruajtjen e arteve dhe zanateve dhe kështu të mundësojmë që trashëgimia kulturore në Kosovë të bëhet shtytës i dialogut ndërmjet komuniteteve dhe gjithëpërfshirje sociale".
Në fjalimin e saj Zëvendës Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija Deva shprehu mirënjohjen për përpjekjet dhe punën e shumë aktorëve në këtë fushë për të ruajtur trashëgiminë kulturore në Kosovë.
Ky projekt do të implementohet në periudhën prej tetëmbëdhjetë muajsh nga i cili do të përfitojnë vendet kulturore dhe fetare në komuna të përzgjedhura në Kosovë. Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, falënderoi projektin për përzgjedhjen e kësaj komune si një nga përfituesit: “Prizreni është si një puhizë e lehtë në botën e sotme të qyteteve identike dhe ruajtja dhe restaurimi i trashëgimisë kulturore është një investim në ruajtjen e bashkëjetesës. Prandaj, ky projekt do të ketë mbështetjen e plotë të komunës së Prizrenit si dhe mbështetjen time personale”.
Mysafirët e aktivitetit kishin kënaqësinë të dëgjojnë video porosinë e z. Tibor Navracsics, Komisionarit Evropian për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport i cili tha: "Prizreni, një qytet me histori të pasur dhe trashëgimi të llojllojshme kulturore, është vend i duhur për të qenë nikoqir i këtij aktiviteti. Ju po filloni këtë aktivitet në kohën kur drita fuqishëm ndriçon trashëgiminë kulturore. Tashmë ka filluar Viti 2018 i trashëgimisë kulturore evropiane".
Një nga vendet që do të rinovohen përmes këtij projekti do të jetë vendi nga ku u nisë projekti, kinemaja Lumbardhi. Ares Shporta, bashkëthemelues dhe drejtor i Fondacionit Lumbardhi, paraqiti historikun e shkurtë të kinemasë duke u përqendruar në rëndësinë e tij si vend i trashëgimisë kulturore që afron njerëzit si dhe mysafirëve iu prezantoi objektin.
Projekti “Dialogu Ndërmjet Komuniteteve përmes Ruajtjes së Trashëgimisë Gjithëpërfshirëse Kulturore” vazhdon punën e projektit “Zhvillimi i Besimit përmes Mbrojtjes Kulturore në Kosovë” gjithashtu të financuar nga instrumenti i BE-së që kontribuon Stabilitetit dhe Paqes (IcSP). Ky projekt është implementuar nga viti 2016 deri 2017 dhe ka përforcuar besimin ndërmjet komuniteteve dhe respektin për identitet dhe trashëgimi kulturore në komunën e Ferizajt, Gjilanit, Lipjanit, Kamenicës dhe Rahovecit. IcSP gjithashtu kontribuon në masat për krijimin e paqes dhe stabilizimit në Ballkanin Perëndimor me disa projekte në rajon duke përfshirë mbështetjen për dialog ndërmjet komuniteteve në rajon.
Me një buxhet prej më pak se 2 milion EUR, projekti do të përqendrohet në rinovim, zbukurim dhe rehabilitim të vendeve të përzgjedhura dhe vetëdijesim për llojllojshmërinë kulturore duke inkurajuar qytetarët të mbrojnë dhe ruajnë trashëgiminë kulturore. Projekti ka edhe komponentin për angazhim të rinisë dhe grave që mbështet fuqizimin ekonomik përmes ri-imagjinimit të trashëgimisë kulturore si mjet për zhvillim ekonomik. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është kontributi për zhvillim të tolerancës ndërmjet komuniteteve dhe respekt për identitet dhe trashëgimi kulturore.