Fillojnë procedurat për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit
Prishtinë, 11 janar - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vendosi sot që ti iniciojë procedurat për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova. Objekti i këtij institucioni do të ndërtohet në lokacionin në të cilin qe paraparë të ndërtohej edhe më parë, pranë Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Ky vendim është marrë në pajtueshmëri të plotë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
Ministria ka paraparë që t\'i niste procedurat qysh në vitin e kaluar, pas dakordimit me Komunën e Prishtinës që kjo e fundit ta ndante një lokacion të ri, konkretisht përballë Teatrit Kombëtar, projekt ky i cili qe paraparë të ndërtohej së bashku me Komunën e Prishtinës
Përkundër tentimeve të vazhdueshme gjatë tërë vitit të kaluar, MKRS-ja nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e saj që Komuna e Prishtinës t\'i kryente procedurat që bien në përgjegjësi të saj.
Ministri Kujtim Shala i është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit me dy letra: një me 28 nëntor dhe tjetrën më 7 dhjetor lidhur me këtë projekt dhe investimet tjera të MKRS-së dhe në asnjërën letër nuk ka marrë përgjigje nga ai apo dikush tjetër nga Komuna e Prishtinës
Rrjedhimisht, MKRS-ja ka vendosur që të iniciojë procedurat për ndërtimin e këtij objekti tejet të rëndësishëm për kulturën e Kosovës në lokacionin e mëparshëm. MKRS-ja ka paraparë që sivjet të investojë 450 mijë euro, të cilat do të përdoren për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit.
MKRS-ja e sheh të pakuptimtë bllokimin e investimeve të MKRS-së në Komunën e Prishtinës, sepse këto investime janë në dobi të qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës.