Filloi edicioni i 15-të i festivalit ‘’Rapsodia Shqiptare’’ në Skenderaj
Skenderaj, 28 dhjetor - Nën patronatin e kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka filluar edicioni i 15-të i festivalit të përvitshëm gjithëkombëtar ‘’Rapsodia Shqiptare’’, ku për tri ditë grupe e rapsodë nga trevat shqiptare do të garojnë me këngët e tyre folklorike.
Hapjen e këtij festivali e bëri kryetari i komunës, Bekim Jashari i cili vlerësoi se ky festival është i një rëndësie të veçantë sepse sipas tij këtu në një frymë konkurruese pasqyrohen këngë të shumta burimore si vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare.
“Ruajta dhe kultivimi i kulturës sonë tradicionale është detyrë e secilit nga ne sepse duke ruajtur dhe promovuar kulturën tonë jo materiale ne nderojmë historinë tonë të lavdishme”, ka deklaruar kryetari Jashari.
Tutje Jashari ka thënë se kultura jonë tradicionale e ruajtur me fanatizëm me shekuj të tërë duhet të këtë një kujdes e vëmendje më të madhe institucionale, një promovim më të madh edhe nga mediat sepse kjo është historia dhe identiteti jonë kombëtar.
Ai ka falënderuar rapsodët pjesëmarrës që me veprat e tyre po madhështojnë këtë festival.
Kryetari Jashari, për kontributin dhënë në zhvillimin e folklorit ka ndarë një mirënjohje post mortum për rapsodin tashmë të ndjerë, Kadri Duraku.
Pjesën garuese të festivalit sonte, me këngën e tij e hapi fituesi i vitit të kaluar, Qëndrim Ajazi.
Festivali ‘’Rapsodia Shqiptare’’ do të zgjasë tri ditë, me mbajtjen e natës finale në të cilën do të shpallet fituesi i festivalit.
Kujtojmë që ky festival organizohet në kuadër të festave të nëntorit, mirëpo këtë vit për shkak të tërmetit që ndodhi në Shqipëri, grupi organizativ vendosi që të shtyhet për datat 28,29 dhe 30 dhjetor 2019. â