Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula fitojnë Top Fest 12
Pas triumfit, tre këngëtarët u shprehën shumë të lumtur, teksa thanë se ishte çmimi i parë për ta edhe pse kanë marrë pjesë në edicionet e shkuara të festivalit.
E kam filluar karrierën 11 vite më parë pikërisht në Top Fest dhe jam shumë i lumtur që në edicionin e fundit dolëm fitues. Kjo ka qenë një ëndërr e imja- tha Ermal Fejzullahu.
Top Fest 12, pas një rrugëtimi muzikor 4 mujor u finalizua mbrëmjen e së dielës me finalen e madhe, e cila u mbajt në një atmosferë të jashtëzakonshme në Pallatin e Kongreseve dhe u transmetua drejtpërdrejtë në Top Channel. Performanca e finalistëve e ndërthurur me spektaklin e dhuruar nga të ftuarit, emra të njohur të skenës shqiptare, kërcimi dhe surpriza të shumta e bënë këtë mbrëmje madhështore.
Kjo finale e prezantuar nga Ledion Liço dhe nga Dojna Mema, nisi ndryshe. Këtë herë, Ledioni mori mikrofonin në dorë jo vetëm për të prezantuar, por edhe për të kënduar, duke i dhënë mundësinë publikut në sallë dhe atij që e ndoqi përmes ekranit, ta shihnin atë në një performancë ndryshe në hapjen e finales.
Nga qindra artistët që u paraqitën në këtë edicion, vetëm 29 prej tyre mbërritën në dy gjysmëfinalet, ndërsa 12 ishin ata të cilët garuan për çmimet e këtij edicioni.
Aslaidon me këngën Vetëm do ia dal ishte fitues i çmimit Artist To Watch, ndërsa çmimi Kënga më e mirë Rock/Alternative shkoi për Petrit Çarkaxhiun me këngën Gegë & Toskë.
Beatrix Ramosaj me këngën Dhoma 609 ishte fituese e dy çmimeve, Artistja më e mirë femër dhe e çmimit të \'Top Albania Radio.
Për tu veçuar në natën finale ishte edhe mbërritja me helikopter e reperit Noizy, i cili pasi performoi së bashku me Elgit Doda këngën Vetëm ti je, mori dy çmime Most social artist, si dhe Best Hip Hop.
Traditë e Top Fest, për vite me radhë, ka qenë dhe dhënia e një çmimi nga banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, nga banorët e Big Brother Albania. Ndryshe nga vitet e tjera, ky Top Fest i gjeti banorët brenda shtëpisë dhe nga aty, në një lidhje surprizë për ta, drejtpërsëdrejti ata u bënë pjesë e dhënies së çmimit Kënga më e dëgjuar në My Music. Ky çmim shkoi për Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula, të cilët ishin fitues edhe të çmimit Best Male\" edhe fitues të çmimit të madh. Ndërkohë Kënga më e mirë Pop shkoi për Kastro Zizon.
Për të dhënë çmimin Topfestifundit këtë herë në skenë u ngjit Lori Hoxha, producente e këtij festivali. Ky çmim shkoi për Eugent Bushpepan me këngën Pranë finishit. Ndërkohë, çmimin Balada më e mirë e mori Stenald Mehilli me Flas me diellin.
Grupi Troja me këngën Demokraci dhuroi një performancë të veçantë, ndërsa meritoi çmimin Best Video.
Në këtë mbrëmje u zbulua dhe enigma për të shumëpërfolurën e këtyre katër muajve, Top Festi fundit. Në të vërtetë është vetëm fillimi i Top Awards.