Ekspozita ecokosovo tani në sheshin Nëna Terezë
Prishtinë, 3 mars - Më 24 shkurt, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (UNV) - në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) hapën një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga fushata #ecokosovo në Bibliotekën Kombëtare.
Kjo ekspozitë, me 103 fotografi të zgjedhura nga më shumë se katërqind që janë paraqitur në fushatën avokuese online në temën mjedisi dhe shëndeti, qëndroi e hapur në objektin e Bibliotekës deri më 28 shkurt.
Që nga dita e sotme ekspozita është zhvendosur në sheshin Nëna Terezë ku do të qendroj e hapur deri të hënën në mbrëmje, 6 mars.
Prej nëntorit deri në dhjetor 2016, #ecokosovo-së i kanë arritur mbi 400 foto aplikime. Fotografitë janë dorëzuar online me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mjedisin dhe shëndetin në Kosovë.
Fushata ishte e suksesshme dhe u paraqit si sfidë e vështirë për pesë anëtarët e jurisë të cilët kishin për detyrë të zgjedhin vetëm tre fitues nga të gjitha aplikimet.
Me një temë të gjerë mjedisi dhe shëndeti në Kosovë, pjesëmarrësit ishin të lirë të shkrepin foto të Kosovës dhe mjedisit të saj ashtu si ata e shohin dhe e përjetojnë.