23 Dhjetor 2024

Ekspozita e artit francez vjen në Prishtinë

Prishtinë, 25 mars - Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Javëve të Frankofonisë në Kosovë, u hap ekspozita Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, ku nga sot deri më 14 prill në Prishtinë do të sillen veprat e artistëve francez nga ky koleksion.

Në hapje të ekspozitës, e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, morën pjesë shumë personalitete nga bota e artit dhe politikës.

Në hapjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të Javëve të Frankofonisë morën pjesë edhe Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Didier Chabert, Ambasador i Republikës së Francës në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Gashi, u shpreh se ndjehet i kënaqur që po merr pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme për jetën kulturore të vendit tonë për faktin se kjo ekspozitë po ndodh në kuadër të Javëve të Frankofonisë dhe artistët e artdashësit e Kosovës do të kenë rastin të shohin për së afërmi përvojën kulturore të artistëve francez.

“Ne si Ministri e Kulturës gjithmonë e kemi përkrahur Frankofoninë në forma të ndryshme. Edhe kjo ngjarje e cila po fillon dhe që do të zgjasë deri më 14 prill do të jetë një mundësi që të shohim më tepër nga arti i mrekullueshëm francez i cili ndodhet në koleksionin francez të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup."

"Më vjen mirë që si Ministri në bashkëpunim me Ambasadën dhe Galerinë kemi bërë të mundur që në Kosovë, mes shumë veprave të sjellim emrat e shumë artistëve të mëdhenj”, tha mes tjerash ministri duke u zotuar se bashkëpunimet e këtilla ai është i gatshëm që gjithmonë t’i mbështesë.

Ndërsa ambasadori i Francës, Chabert, tha mes tjerash se më mesin e këtij koleksioni që përbëhet sot nga afro 300 veprave të realizuara nga përafërsisht 150 artistë, veprat e artistëve francez zënë një vend krejtësisht të veçantë. Ato ilustrojnë lëvizje të ndryshme- kubizmin, surealizmin, apo edhe ekspresionizmin- dhe janë një dëshmi të tërheqjes që kishte Parisi gjatë tërë shekullit XX sa i përket artit bashkëkohor.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është hera e dytë që mbahen ekspozita të artistëve francez. E para ka qenë nga Picasso te Calderi e cila ka qenë e hapur në vitin 1985, ndërsa kjo ekspozitë është e dyta.

Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup është themeluar në vitin 1964, nga i cili edhe vjen një pjesë e këtij koleksioni. Ndërkaq, kuratorë të kësaj ekspozite kanë qenë Marika Bočvarvova Plavevska dhe Blagoja Varošanec.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)