Edhe një monument i trashëgimisë kulturore dëmtohet nga zjarri
Prizren, 15 mars - Objektet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore brenda Qendrës Historike të Prizrenit vazhdojnë që të shkatërrohen, ndërkohë që institucionet përgjegjëse ende nuk kanë gjetur forma të përshtatshme për ruajtjen e tyre.
Të martën, një ndërtesë, që është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare, është përfshirë nga zjarri në rrethana ende të pasqaruara nga organet e emergjencave dhe të sigurisë. Objekti kohë më parë, nga pushteti lokal i Prizrenit i është dhënë në shfrytëzim Kishës Katolike të Kosovës.
Rasti i shpërthimit të zjarrit në këtë objekt kërkon hetim të menjëhershëm dhe të hollësishëm nga organet e hetuesisë.
EC Ma Ndryshe javën e kaluar pat vlerësuar se institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit ende nuk e kanë krijuar një sistem të duhur të koordinimit ndërmjet tyre, dhe se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet tyre po ndikon në degradim.
Rasti i fundit dëshmon se neglizhenca institucionale ka prodhuar edhe një dështim tjetër në ruajtjen e objekteve të mbrojtura brenda Qendrës Historike të Prizrenit.
Çështja bëhet edhe më alarmante, për faktin se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, ka dy vjet që është themeluar, ndërkohë që dëmtimi i objekteve të mbrojtura nuk ka të ndalur në këtë zonë.
Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe i bënë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që të ndërmarrin veprimet e duhura konform përgjegjësive ligjore që kanë për të parandaluar përsëritjen e skenarëve të tillë në pjesë të tjera të Qendrës Historike të Prizrenit, derisa kërkon edhe nga organet e hetuesisë që ta zbardhin rastin në tërësi.
EC Ma Ndryshe në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.