Edhe këtë vit rritet buxheti për institucionet e kulturës
Prishtinë, 24 janar - Sikur që ka ndodhur në tri vitet e fundit, edhe këtë vit institucionet kulturore në Kosovë do të kenë rritje të buxhetit. Rritja për këtë vit në total për institucionet do të jetë rreth 20 %.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka nënshkruar politikat programore për departamentin e kulturës dhe me këtë rast është përcaktuar edhe shuma e buxhetit për secilin institucion të kulturës.
Nga ky vit nën vartësi të MKRS do të jetë edhe Biblioteka Kombetare por ky institucion ka kod të vetin buxhetor dhe kësisoj buxheti i është ndarë në momentin e miratimit të Buxhetit 2014.
Buxheti për institucionet kulturore do të jetë si vijon:
Biblioteka Kombetare - 596 mijë e 774 euro
Qendra Kinematografike e Kosovës - 700 mijë euro
Teatri Kombëtar i Kosovës - 330 mijë euro
Filarmonia e Kosovës - 250 mijë euro
Baleti i Kosovës - 160 mijë euro
Galeria Kombëtare e Kosovës - 160 mijë euro
Ansambli Shota - 140 mijë euro
Galeria Qafa - 25 mijë euro
Kosovafilm - 10 mijë euro
Rritje të buxhetit do të ketë edhe në pjesën e subvencioneve dhe kjo do të reflektohet në mbështetjen e aktiviteteve të operatorëve të pavarur kulturor në vend.
Po ashtu buxheti do të rritet edhe për librin. Këtë vit MKRS ka ndarë 100 mijë euro e të cilat Këshilli i Librit do ti ndajë në tri kategori; financim të botimit të librave të rinj, blerje të titujve të dy viteve të fundit dhe mbështetjen për revistat letrare. Librat e blerë, siç ka ndodhur vitin e kaluar, do të shpërndahen në bibliotekat komunale.
Ministri Krasniqi e ka vlerësuar rritjen e buxhetit si një përkujdesje të dinjitetshme ndaj institucioneve të kulturës, aktiviteteve kulturore në Kosovë dhe krijuesve e botuesve. Me këtë, sipas tij, po krijohen mundësi më të mëdha për krijimtari dhe program më të pasur kulturor gjatë vitit.