Eda Zari vjen në Prishtinë me një ekspozitë dhe performansë
Prishtinë, 16 mars - Pas një mungese prej rreth 5 vitesh, në mbështetje të Ministrisë së Diasporës, artistja e mirënjohur Shqiptare, Eda Zari më datë 27 mars do të hapë një ekspozitë titulluar Inside of Outside (Brendia e së Jashtmes).
Në një instalacion artistik ndryshe nga të tjerat, Eda do të ekspozojë katër cikle fotografish, ku mbizotëron fotografia bardh e zi, dhe atë; 1. Street Photography (Fotografi të Rrugës) 2. Doors of Deception (Dyert e Mashtrimit) 3. Genders (Gjinitë) dhe 4. The world through the eyes of a child (Bota shikuar nga sytë e fëmiut).
Njëra nga objektivat e Ministrisë së Diasporës është që të promovojë artistët e mirëfilltë nga diaspora jonë, dhë njëkohësisht të mbështesë artin e mirëfilltë.
Synimi i kësaj ekspozite njëkohësisht është që të promovojë peizazhin, vendet dhe njeriun në trojet Shqiptare, me tërë qetësinë, bukurinë, ashpërsinë, konfliktet, problematikat, nostalgjinë, mbarësinë duke gjetur në formë homogjene një paralele të jetës me njeriun e botës përtej kufijve tanë.
Protagonist i kësaj ekspozite është përherë njeriu i cili transmeton, si i mbyllur brenda katër mureve por në raste të caktuara edhe në hapësirë, mesazhe sa metaforike po aq edhe paqe dhënëse.
Gjatë ekspozitës do të performohet edhe instalacion muzikor, ndërsa ekspozita do të jetë e hapur prej 27 marsit deri më 2 prill në Teatrin Oda, ndërsa më vonë do të zhvendoset në Tiranë.