EC publikon analizën Trashëgimia kulturore: një histori e patreguar
Prishtinë, 3 mars - EC Ma Ndryshe sot ka publikuar analizën Trashëgimia kulturore: një histori e patreguar e cila synon ti shqyrtojë tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, të miratuara nga Ministria e Arsimit e Kosovës, për të parë se si prezentohet në to trashëgimia kulturore e Kosovës.
Nga shqyrtimi i teksteve mësimore të historisë në Kosovë del se trashëgimia kulturore në këto tekste prezentohet në mënyrë tejet të kufizuar.
Nuk thuhet asgjë mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe lidhjen e saj me formimin e identiteteve, as për ndikimin që diversiteti kulturor mund të ketë në zhvillimin e tolerancës, pengimin e urrejtjes, të racizmit dhe formave të tjera të diskriminimit që mund të shkaktojnë konflikte. Këto tekste nuk e shpjegojnë fare konceptin e trashëgimisë kulturore, e madje as që e përmendin ndokund.
Tekstet paraqesin kryesisht objekte/monumente të trashëgimisë kulturore dhe këto pothuajse kryekëput përmes fotografive. Shumica dërrmuese e objekteve/monumenteve të prezentuara në këto tekste kanë karakter etnik e politik, por edhe kur nuk e kanë, prezentohen sërish në kontekst etnik e politik.
Në këto tekste nuk prezentohet fare sundimi sërb gjatë mesjetës në Kosovë, e për rrjedhojë mungon edhe prezentimi i trashëgimisë kulturore, kryesisht i objekteve fetare, të kësaj periudhe. Po ashtu, duke pasë parasysh se në këto tekste periudha pesëshekullore nën sundimin osman paraqitet si e errët, nuk figuron pothuajse asgjë nga trashëgimia kulturore e saj. Përjashtim bëjnë deri-diku vetëm tekstet Historia 11 dhe Historia 12 për gjimnazin e përgjithshëm.
Sa i takon periudhës nën sundimin Jugosllavisë së Titos (1945-1990), jepen pjesërisht vetëm disa të arritura në fushën e arsimit e të kulturës, por nuk figuron asnjëri prej objekteve/monumenteve të ndërtuara gjatë saj.
Kosova po synon anëtarësimin në UNESCO, ndërkohë që në tekstet mësimore të historisë brezave të rinj nuk po u mësohet pothuajse asgjë nga trashëgimia kulturore e saj.