Doli libri "Trepça ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva"
Prishtinë, 23 maj - Botuesi Atlantis Developpement me seli në Roscoff të Francës, sapo e ka botuar librin Trepça ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva, të autorëve: Ferat Shala, Sala Berisha-Shala dhe Bislim Muqa, versionin në gjuhën shqipe.
Ky libër, sipas recensentëve, është një dokument shkencor që shtron për zgjidhje çështjen Trepça. Ai është njëri nga dokumentet më të kompletuara shkencore në 15 vitet e fundit që i kushtohet pasurive minerale të Kosovës, me theks të veçantë resurseve minerale metalore të plumbit dhe zinkut.
Autorët, duke qenë për një kohë në krye të menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça, kanë arritur ti hulumtojnë, evidentojnë dhe ti shtrojnë për zgjidhje të gjitha çështjet që preokupojnë këtë gjigant ekonomik të Kosovës. Studimi trajton alternativat për ristrukturimin e Trepçës, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Minierat, në kushtet e ekonomisë së tregut, dhe duke qenë miqësore ndaj mjedisit.
Autorët shtjellojnë me radhë problematikat dhe rrugët e zgjidhjes, që lidhen ngushtë me ristrukturimin, ndërsa një kapitull i veçantë i librit trajton gjerësisht konceptin bazë të menaxhimit minerar, duke nisur nga rrjedhat globale dhe ndikimi i tyre në prodhimin dhe konsumin e plumbit dhe të zinkut.
Studimi Trepça - ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva, iu ofrohet jo vetëm studiuesve potencialë (studentëve), por edhe institucioneve kërkimore-shkencore, institucioneve qeverisëse Kosovës, sikurse edhe investitorëve potencialë. Botuesi Atlantis Developpement, ndërkaq ka paralajmëruar se këtë libër do ta botojë edhe në gjuhën frënge dhe atë angleze.