DokuFest-i thyen rekordet e tij
Prizren, 25 gusht - Rreth 237 filma ishin pjesë e Edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest.
Festivali, nisi me protestë, duke kundërshtuar kështu vendimin e muajit qershor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila ka filluar procesin e shitjes së Kinemasë Lumbardhi, ku edhe e gjithë historia e nisjes së festivalit DokuFest ka bazën në mbrojtjen e kësaj hapësire nga shkatërrimi.
Pas 13 vitesh angazhimi, DokuFest, në këtë vit erdhi me një porosi Ndrysho, mos u mshef, që edhe është pasqyruar në programin e filmave.
Ky program me 237 filma, mblodhi rreth vetes regjisorë nga 56 vende të botës, të cilët janë ndarë në gjashtë kategori garuese dhe në disa përzgjedhje speciale.
Bota po e njeh DokuFest-in
Nëntë kinematë që ishin përgatitur për shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve, çdo ditë e çdo natë kanë qenë thuajse të mbushura. Madje sipas organizatorëve, këtë vit DokuFest-i, ka thyer rekordin e pjesëmarrësve dhe shitjes së biletave.
Sipas, Nita Dedës, e cila është përgjegjëse për Mardhënie me Publikun, dokufestin sivjet e kanë përcjellë 25 përqind më shumë njerëz se sa vitin e kaluar, ndërsa 50 përqind prej tyre, kanë qenë të huaj nga vende të ndryshme të botës.
Sivjet është parë që është rritur tepër shumë. Nesër do ta kemi një konferencë për media dhe do ti shfaqim të dhënat nga hulumtimet që ne vet i kemi bërë në këtë festival, por nga ato hulumtime primare që i kemi bërë, për ditët në fillim, po shihet se 25 % është rritur numri i vizitorëve në kinema. E prej vizitorëve në kinema 50 përqind janë të huaj prej të gjitha anët e botës, ka thënë Deda për KosovaPress.
E kur flitet për thyerje rekordesh, këtë e ka bërë në natën e para fundit edhe Elina Duni, në Doku Nights, e cila mblodhi në Marash, më shumë se 2 mijë vet.
Pardje e kemi thy edhe rekordin e shitjeve të biletave. Dokunight, vetëm në mbrëmje në performancën e Elina Dunit dhe Retrovizorës, i ka pas mbi 2 mijë persona, thotë Deda.
Ky numër, padyshim që tregon për një rritje të përvjetshme të këtij festivali.