Çmimi Pulitzer, për The Washington Post dhe The Guardian
Nju Jork, 15 prill - Ky shpërblim është dhënë për shkrimet mbi përgjimet e NSA-së, mbështetur në dokumentet e siguruara nga ish-nëpunësi i Cia-s, Edward Snowden.
Çmimi më i rëndësishëm për gazetarinë Pulitzer, i është dhënë dy gazetave prestigjioze: njëri për amerikanen Washington Post dhe tjetri për britaniken The Guardian. Ky shpërblim është dhënë për shkrimet mbi përgjimet e NSA-së, mbështetur në dokumentet e siguruara nga ish-nëpunësi i Cia-s, Edward Snowden.
Komiteti Pulitzer argumentoi se The Guardian, ndihmoi që, përmes raportimit agresiv, të nxiste debatin për marrëdhëniet mes qeverisë dhe publikut, për çështjet e sigurisë dhe privatësisë, citon KosovaPress.
Ndërsa për Washington Post, theksoi se, shkrimet që mbanin vulën autoritare dhe depërtuese, ndihmuan publikun të kuptojë se si zbulimi përshtatet në kornizën e madhe të sigurisë kombëtare.
Mes fituesve të çmimit më të madh në gazetarinë amerikane ishte Boston Globe, në kategorinë breaking news, për sulmet me bomba në maratonën e Bostonit, si dhe gjurmimin e të dyshuarve.
Për raportimin ndërkombëtar u vlerësuan dy gazetarë të agjencisë së lajmeve Reuters; Jason Szep dhe Andrew R.C. Marshall, për raportimin e guximshëm për persekutimin e dhunshëm të Rohingias, pakicës myslimane në Mianmar, që në përpjekje për tu larguar nga vendi, bie viktimë e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ndërsa Taylor Hicks i New York Times fitoi foto-lajmin e fundit për sulmin terrorist në qendrën tregtare Westgate në Kenia.
Çmimi Pulitzer jepet nga Fakulteti i Gazetarisë i Universitetit të Kolumbisë.