24 Dhjetor 2024

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore iu nda kompozitorit Akil Koci

Prishtinë, 24 tetor - Në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u bë ndarja e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve vjetore për vepra muzikore për vitin 2017.

Ministri Kujtim Gashi fillimisht uroi mirëseardhje për të gjithë. Ai tha se “kjo është një ceremoni që organizohet nga Ministria e Kulturës, nga shteti i Kosovës, në shenjë mirënjohje për kontributin tuaj në fushën e muzikës".

Ministri po ashtu shprehu mirënjohje dhe falënderim për të gjithë përfituesit e këtyre çmimeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Për mua si ministër por edhe për Ministrinë e Kulturës, shtetin e Kosovës është nder i veçantë që kemi krijues në Kosovë, talent të tillë që me veprimtarinë e vet, krijimtarinë e vet kanë mbajt gjallë muzikën në Kosovë. Çmimet që i ndajmë sot janë vlerësime dhe mirënjohje për punën e juaj. Si shtet ndihemi krenar për punën që keni bërë në të gjitha etapat."

"Është moment historik që ka ardhur koha që ne ta vlerësojmë punën tuaj jo vetëm me mbështetje financiare por edhe vlerësimi i punës sepse puna juaj nuk paguhet asnjëherë me vlera monetare kështu që jam shumë falënderues mirënjohës në emër të qeverisë së Kosovës edhe në emër timin personal që po bëni një punë jashtëzakonisht të mirë në fushën e muzikës”, tha ministri Gashi.

Përveç tjerash, ministri Kujtim Gashi vlerësoi se ky ishte një vit i kthesës pasi është marrë edhe vendimi i rritjes së pagave për 50% për të gjithë krijuesit, si vlerësim për punën dhe angazhimin e tyre dhe po ashtu theksoi edhe një herë vlerësimin që i është bërë Nexhmie Pagarushës me status të veçantë. “Besoj se janë bërë  disa lëvizje të mira në këtë drejtim dhe besoj se nuk do të ndalemi dhe të gjithë krijuesit dhe artistët do të kenë mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Kulturës në të gjitha aspektet.”, tha ministri Gashi.

Në emër të jurisë e cila ka qenë në përbërje të Porf.ord. Valton Beqiri-kompozitor dhe pianist, prof.ass. Baki Jashari-kompozitor dhe dirigjent dhe Ass. Dafina Zeqiri kompozitore, foli Valton Beiqiri cili shpjegoi se përveç çmimeve, fituesve iu ndanë edhe shpërblime financiare.

“Në emër të komisionit dua të shpreh falënderimin të gjithë krijuesve që kanë konkurruar në këtë garë. Dua të theksoj se ky vit ka qenë mjaft i frytshëm për nga numri i veprave. Dhe posaçërisht  ne si komision kemi arritur që të promovojmë dhe stimulojmë krijimtarinë edhe nga kompozitorët e rinj që shihet edhe nga çmimet që janë dhënë këtë radhë dhe kjo është edhe një dëshmi se çmimi për muzikë i Ministrisë së Kulturës po jep frytet  e veta dhe krijues të ri janë aktiv në fushën e krijimtarisë muzikore”, tha ai.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit Akil (Mark) Koci dhe në bazë të Rregullores për ndarjen e çmimeve për muzikë merr edhe shpërblimin financiar prej pesë mijë euro. Po ashtu, çmimi u shoqërua edhe me një plaketë.

Çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike iu nda kompozitorit Krist Lekaj, për veprën “Requiem”. Atij iu ndanë mjetet financiare në vlerë prej pesë mijë eurove. 

Çmimi për veprat orkestrale-simofonike dhe koncertale iu nda kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Simfoni”. Fituesit të këtij çmimi iu ndan vlerë katër mijë euro.

Çmimi për veprën kamertale iu nda kompozitorit Ardian Halimi për veprën “Quartett” dhe u shpërblye me dy mijë euro.

Çmimi për veprat korale iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Siparantum” dhe bashkë me çmimin iu nda edhe shpërblimi financiar në vlerë të një mijë e pesëqind eurove. Ndërkaq, çmimi për veprat solistike dhe duo iu dha kompozitorit Blondi Krasniqi për veprën “Temë me Variacione dhe po ashtu iu ndanë edhe një mijë euro.

Laureati Koci e falënderoi ministrin Gashi, MKRS-në dhe jurinë për vlerësimin dhe për çmimin.

“Kjo ditë për mua është me të vërtetë ditë fantastike, ditë gëzimi sepse kolegët e mi duke filluar prej Krist Lekës, Fahri Beqirit, nuk më kanë harruar dhe besoj se ata do të vijnë shpejt në këtë vend ku jam unë”, tha kompozitori duke theksuar se “Vet fakti që ministria është kujtuar të na shpërblej është fakt që ka filluar rrugën e drejtë sepse deri tash kemi qenë në harresë."

"Shoqata e kompozitorëve ka punuar mjaft mirëpo stimulimi ka qenë jashtëzakonisht i vogël për punë]n e shoqatës. Prandaj ju  lus juve si ministër që të keni kujdes më tepër sepse krijimtaria muzikore është bazë e kulturës në përgjithësi. Ne jemi të njohur me veprat tona jashtë vendit nëpër Evropë”, përfundoi Koci.

Po ashtu, edhe fituesit e çmimeve tjera vlerësimin që u është bërë për punën e tyre e cilësuan si një mirënjohje institucionale dhe një inkurajim për të punuar edhe më shumë në krijimtarinë muzikore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)