‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha në konkurrencën kryesore në Estoni
Tallin, 24 tetor - Filmi i gjatë artistik 'Cirku Fluturues' me skenar dhe regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Tallin të Estonisë.
Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.
“Jam i lumtur që po përfundon rrugëtimi i gjatë i prodhimit të këtij filmi, dhe njëkohësisht shumë i gëzuar që do fillojmë rrugëtimin në festivale dhe kinema. Jam krenar që puna e të gjithë ekipës është vlerësuar me pjesëmarrje në konkurencën kryesore në një festival të kategorisë A” u shpreh Fatos Berisha regjisori i filmit.
Në rrolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, dhe Velibor Topić. Ndërsa në rrolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.
Producente e filmit është Vjosa Berisha, dhe me bashkëprodecentë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka, dhe Fatos Berisha.
Drejtor i fotografisë - Almir Ðikoli, montazher - Vladimir Pavlovski, dizajner i setit Arben Shala, kompozitor - Ognen Anastasovski, dhe kostumografe - Desantila Lika.
‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore.